Sot është - E Premte | Data: 23-Qershor-2017 | Ora: 06:10
NDRYSHO DIZAJNIN
**.... Guest ....** ...ES-SELAM ALEJKUM WE RAHMETULLAHI WE BEREKATUHU XHEMAT I NDERUAR ALLAHU JU SHPERBLEFTE PER VIZITEN E JUAJ INSH-ALLAH .... **
Dosja e Ramazanit

Artikuj per Ramazan

Video Ligjerata

Audio Ligjerata

Dua per Iftare

Dua te perditshme

Menya
Kategorite
Radio-Elkalem24/24
Bisedojm se bashku
mesohu edhe ti

Abdesi
Mesohu te marresh abdes

Namazi
mesohu te falesh Namaz

Allahu ju meshirofte
Shiko live

Shiko Meken live 24 ore


Shiko Medinen live 24 ore

Shikim te kendeshem
Sondazhi yne
web faqe islame
 
 
 
 
statistika

Pendohuni tek Allahu ju o besimtarë, që të shpëtoni!


Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit, Mëshirëplotit, i Cili fal mëkatin dhe pranon pendimin e robërve. Ai është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Tij. Tek Ai është e ardhmja e të gjithëve. Paqja dhe mëshira e Allahut të Lartësuar qoftë mbi Muhamedin salallahu alejhi ue selem, që Allahu i Lartësuar e dërgoi si mëshirë për të gjitha botët, mbi shokët e Tij, mbi familjen e Tij dhe gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Kiametit.
 
 
Mirësia më e mirë e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij është ajo se ua hapi atyre derën e pendimit dhe ua bëri atyre si një agim që me të të fillojnë një ditë të re të jetës së tyre të re të kthyer drejt Allahut me zemra të thyera e të penduar për të kaluarën e hidhur të tyre, me lot në sy dhe me koka të përulura, t’i luten Allahut që t’ua pranojë pendimin e tyre.
 
 
Thotë Allahu i Lartësuar: "Njoftoji robërit e Mi se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe mëshirues i madh.” (Suretu Hixher: 49) Po ashtu: "Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyra e të neveritshme.” (Suretu Bekare: 222)
 
 
Gjithashtu Allahu i Lartësuar duke i thirrur robërit e Tij që të pendohen e të kthehen tek Ai thotë: "Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Suretu Nur: 31)
 
 
Po ashtu hadithi sahih i Muhamedit salallahu alejhi ue selem që transmeton imam Muslimi: "Allahu i Lartësuar shtrin dorën e Tij gjatë natës që të pranojë pendimin e mëkatarit të ditës dhe shtrin dorën e Ti gjatë ditës që t’i pranojë pendimin mëkatarit të natës derisa të perëndojë Dielli nga perëndimi.”
 
Muhamedi salallahu alejhi ue selem është Dërguari i mëshirshëm duke pasur parasysh se i janë falur mëkatet, të parat e të fundit, ai thotë: "O ju njerëz, pendohuni tek Allahu dhe bëni istigfar (kërkoni falje mëkatesh), ngase unë pendohem tek Allahu 100 herë në ditë (them etubu ila Allahu, etubu ila Allahu - pendohem tek Allahu, pendohem tek Allahu).” (Muslimi)
 
 
 
Shiko, o vëlla i nderuar, mirësinë e Allahut të Lartësuar për ata që pendohen, siç transmetohet në hadith: "Ai që pendohet nga mëkatet është sikur të mos ketë bërë mëkat fare.” (Ibn Maxhe dhe Taberani).
 
 
Vëlla i nderuar!
 
Mos të të mashtrojnë epshet dhe shpirti pas dëshirave të kësaj bote, ngase Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "I gjithë umeti do të hyjë në xhenet, përveç atij që refuzon!” E sahabët të mahnitur i thanë: "A është ndokush që refuzon të hyjë në xhenet ja Resulallah?” E u tha: "Kush më pason mua, do të hyjë në xhenet e kush më kundërshton Mua, ka refuzuar hyrjen në xhenet.” (Buhariu)
 
 
Ky hadith është një përgëzim me xhenet për të gjithë muslimanët, përveç një grupi që ka refuzuar, jo që nuk kanë dashur, por për shkak të injorancës së tyre ndaj rrugës që shpie në xhenet dhe për shkak të përtacisë së tyre, se i kanë dhënë përparësi kënaqësive të përkohshme të kësaj bote kalimtare ndaj kënaqësive të përhershme të botës tjetër, ahiretit (botës së amshuar), në xhenetet e përjetshme që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për besimtarët.
 
 
 
Pra, o vëlla i nderuar, shpejto me sinqeritet, se nuk do të pushosh përderisa të hysh nën hijen e pemës Tuba (është një pemë ku udhëtari për sa e sa vite nuk mund ta kalojë hijen e saj) në xhenet dhe zgjohu nga pakujdesia. Duhet ta dish se ditët më të mira të jetës sate do të jenë ato ditë që do t’i kthehesh rrugës së Allahut të Lartësuar, përkushtoju kësaj rruge me sinqeritet dhe le të jetë si përgëzim për ty hadithi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem: "Allahu gëzohet më tepër kur robi i Tij pendohet sesa ndonjëri prej jush nëse do të kishte qenë në një shkretëtirë të madhe me devenë e tij, e ajo papritmas humbet, e mbi të ka pasur të ngarkuar ushqimin dhe pijen e tij.
 
 
(Pasi e kërkon) Humb shpresat se mund ta gjejë, shkon dhe shtrihet nën hijen e një druri. Pasi humbë shpresat, duke pushuar, papritmas sheh devenë që është kthyer pranë tij. E kap atë për kapistre dhe nga gëzimi i madh thotë: "O Allahu im, Ti je robi im kurse unë jam zoti yt”, gabon për shkak të gëzimit të madh.” (Muslimi).
 
 
Vëlla i nderuar!
 
 
Jahja ibn Muadhi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: "Prej mashtrimit më të madh për mua do të ishte që të vazhdoja në mëkate, me shpresë se Allahu do të më falë, duke mos u penduar fare apo të pretendoj se do të afrohem tek Allahu pa vepra të mira apo duke pritur frutat e xhenetit me mbjellje të zjarrit apo të kërkoj shpërblimin e të devotshmëve me vepra të mëkatarëve, të pres shpërblimin pa punë dhe të kem shpresa për shpërblime të mëdha nga Allahu i Lartësuar me punë përtacësh. Kush do xhenetin, e ndërpret pasimin e epsheve dhe kush ia ka frikën zjarrit, i lë mëkatet.”
 
 
Hasan Basriu ka thënë: "Disa njerëz i mashtroi shpresa e madhe për falje derisa e mbaruan këtë botë pa u penduar duke thënë "unë kam mendime të mira për Allahun”, por kanë gënjyer, se për të bërë mendime të mira duhen bërë vepra të mira. Besimtari i devotshëm është shumë i kujdesshëm ndaj vetvetes, e llogarit për çdo të madhe e për çdo të vogël prej frike ndaj Allahut të Lartësuar. Për besimtarin e tillë llogaria e tij do të jetë e lehtë Ditën e Kiametit; kush llogarit vetveten para se të llogaritet, kurse llogaria e rëndë do të jetë për ata të cilët këtë botë e kanë kaluar pa menduar shumë për botën tjetër dhe duke mos llogaritur veten e tyre.
 
 
Besimtaret janë disa popuj që Kurani i ka frenuar dhe ka ndërhyrë ndërmjet tyre dhe shkatërrimit të tyre dhe besimtari është si robi i angazhuar në dynja dhe vazhdimisht është në përpjekje për lirimin e tij nga robëria dhe kurrë nuk është i sigurt derisa të takojë Allahun e Lartësuar, duke pasur përherë parasysh se ai do të llogaritet për shqisat e tij: dëgjimin, shikimin, gjuhën dhe të gjitha gjymtyrët e tij.
 
 
 
O ti që ke filluar rrugën drejt jetës së përhershme!
 
Lufta kundër nefesit, epsheve është një luftë e gjatë, e vështirë dhe me pengesa. Shijimi i këtij xhihadi është i hidhur, prekja e tij është e vrazhdë, por vazhdo me karvanin e të penduarve dhe mos u ndal derisa të mbërrish në xhenetin e amshueshëm.
 
 
Thotë Hatim bin Esami: "Kush është në pakujdesi ndaj katër gjërave, ai është i mashtruar dhe ka mundësi që të jetë prej të dëshpëruarve.
 
 
Një: Atë ditë kur Allahu e mori premtimin prej robërve të Tij se do të adhurojnë dhe nuk do t’i shoqërojnë asgjë në adhurim, e kur Allahu ndau njerëzimin në dy grupe dhe tha se këta janë për xhenet dhe nuk mërzitem fare, e këta të tjerët janë për xhehenem dhe nuk mërzitëm fare.
 
 
Dy: Kur njeriu është duke u krijuar në embrion dhe meleku e thërret Allahun e Lartësuar dhe i thotë: "O Allah, a ta shkruaj se do të jetë prej fatbardhëve a prej fatzinjve?” Dhe nuk e di se a është prej fatbardhëve apo prej fatzinjve.
 
 
Tre: Përkujtimi i tmerrit të Ditës së Kiametit dhe nuk e di se a do të përgëzohesh për xhenet apo për xhehenem.
 
 
Katër: Atë ditë kur njerëzit do të dalin të shpërndarë (Ditën e Kiametit) e nuk di se nga do ta dërgojnë për xhenet apo për xhehenem.
 
 
Thotë Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë: "O bir i Ademit, ti ke për të vdekur i vetmuar e do të hysh në varr i vetmuar dhe do të ringjallësh i vetmuar, do të llogaritësh i vetmuar e çdo njeri i devotshëm dhe i mençur duhet të ketë kujdes që mos të përfundojë jeta e tij me vepra të këqija, se ndërmjet Allahut dhe bijve të Ademit nuk ka lidhje farefisnore, as afërsi gjaku, por vetëm drejtësi të plotë, do të gjykohet me drejtësi e duke pasur parasysh se Allahu ka mundësi që të falë gjynahet e vogla e të mëdha, por ka mundësi që edhe ta dënojë qoftë edhe për ato më të voglat. Pra, kujdes!
 
 
Vëlla i nderuar!
 
Të gjithë ne jemi gjynahqarë, e nuk është ndokush që është i mbrojtur nga mëkatet, por më te mirët prej nesh janë ata të cilët shpejtojnë në pendim e kthim sa më të shpejtë tek Allahu, me hapa të shpejtë e me lot pikëllimi e pendimi. Në rrugën e pendimit tënd do të gjesh si ndihmues më të mirë vëllezërit e tu besimtarë, të cilët do të të ndihmojnë në çështjen e kësaj bote dhe botës tjetër, ngase prej domosdoshmërisë së vëllazërisë islame është që gjynahqari mos të lihet të vazhdojë në gjynahet e tij, por të merret në mesin e besimtarëve dhe të këshillohet. A e ke hetuar nëse atij i ndodh ndonjë fatkeqësi apo është i sëmurë, se si do të ndalesh e do të qëndrosh me të e ta ndihmosh derisa të bindesh se ke bërë tërë atë që ke pasur mundësi? Por për çështje të ahiretit duhet që edhe më shumë t’i japësh rëndësi, ngase kjo botë është e përkohshme, kurse bota tjetër e përhershme.
 
 
Dijetari i njohur Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Ajo që e dëmton personin më së shumti është nëse nuk ka bërë toube (nuk është penduar nga mëkatet e bëra), kurse ai që bën toube ndodh që pas saj të bëhet më i mirë sesa ka qenë para se të bëjë mëkatin.
 
 
” Mos mendo o vëlla besimtar se pendimi është i nevojshëm vetëm nga mëkatet, por gjithsesi që të pendohesh edhe nga lënia e nafileve (veprave vullnetare) dhe vazhdimin në hajër (vepra të mira), e kështu që të pendohesh edhe nga lënia e suneteve ratibe (12 rekate që janë para apo pos farzeve brenda 24 orëve, ditës apo natës), nga lënia e taravive, si dhe namazit të natës, pendohu dhe nga koprracia, pendohu edhe nga gafleti (pakujdesia) ndaj humbja e kohës së shtrenjtë.
 
 
Kushtet e pendimit janë katër:
1 – Largimi nga mëkati.
2 – Brengosja për mëkatet apo nga përtacia ndaj adhurimit të Allahut të Lartësuar.
3 – Vendosja me zemër se nuk do të kthehet më në atë mëkat.
4 – Kthimi i hakut të atyre personave që u ke hytë në hak.
 
 
Gjendja jonë në këtë botë fatkeqësisht është në mes atyre që ose janë të ngadalshëm ose thonë në vetvete ‘hajde se ka kohë, do të pendohem më pas”, derisa të na befasojë vdekja e papritur në pakujdesinë tonë.
 
 
Dhe së fundi lusim Allahun e Madhëruar që të më bëjë mua dhe ju prej atyre që kur të gabojnë menjëherë të kthehen tek Allahu me pendim.
 
 
Lusim Allahun që të na furnizojë me pendim të sinqertë para se të vdesim dhe që të na i falë mëkatet tona! Lusim Allahun e Madhëruar që të na falë ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët në atë ditë kur do të japim llogari! Dhe së fundi paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.
 
 
Shkëputur nga libri "40 Mësime për Ramazan”
Shkrimtari: Abdul Melik el-Kasim
Përktheu: Hevzi Kadriu

Lexuar: 777 | Shtuar nga: studio-islam | Data: 10-Prill-2010
Shkruani një Koment
Name *:
Email *:
Code *:
Gjithsej Komente: 0
Copyright © 2010 |