Preferohet që të agjërohet sa më shumë në muajin Muharrem. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari alejhi selam ka thënë: "Agjërimi më i mirë dhe më me vlerë pas muajit të Ramazanit është muaji i Allahut, Muharrem, dhe namazi më i mirë dhe më me vlerë pas namazeve farz është namazi i natës." (Muslimi 1163)
Kurse agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë (ditës së Ashures) është sunet i fortë. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "I Dërguari salallahu alejhi ue selem erdhi në Medinë dhe i pa çifutët duke agjëruar Ditën e Ashures dhe tha: "Ç'është kjo?" Ata thanë: "Ditë e mirë, në të cilën Allahu e kishte shpëtuar Musain alejhi selam dhe Beni Israilët nga armiqtë e tyre dhe për këtë agjëroi Musai." Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: "Unë kam më shumë të drejtë për Musain se ju", dhe e agjëroi ai atë ditë dhe urdhëroi të tjerët të agjërojnë.
Gjithashtu, transmeton Ebu Katadeja se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Shpresoj nga Allahu (subhanehu ue teala) se agjërimi i ditës së Ashures është shkak për shlyerjen e mëkateve të vitit të kaluar." (Muslimi 1162)
Preferohet të agjërohet një ditë para ditës së Ashures, d.m.th. ditën e nëntë. Transmetohet se Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "Meqë i Dërguari i Allahut agjëronte ditën e Ashures dhe urdhëroi për agjërimin e kësaj dite, sahabët i thanë: "O i Dërguari i Allahut, ajo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët" dhe i Dërguari salallahu alejhi ue selem tha: "Vitin e ardhshëm, nëse do Allahu, do të agjërojmë edhe ditën e nëntë." Mirëpo, kur erdhi viti i ardhshëm, i Dërguari salallahu alejhi ue selem kishte ndërruar jetë. (Muslimi 1134)
Vërejtje: Disa dijetarë kanë preferuar që të agjërohet edhe dita e njëmbëdhjetë, pas agjërimit të ditës së nëntë dhe të dhjetës, duke argumentuar me hadithin që transmeton Ibn Abbasi, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Agjëroni ditën e Ashures dhe kundërshtoni çifutët duke agjëruar një ditë para dhe një ditë pas saj." (Ahmedi 2418, Humejdi 485 dhe Ibn Maxhe 2095), mirëpo ky hadith është i dobët dhe nuk merret si argument. Allahu e di më së miri!
Përgatiti: Eroll Nesimi
|