Sot është - E Premte | Data: 29-March-2024 | Ora: 14:55
NDRYSHO DIZAJNIN
**.... Guest ....** ...ES-SELAM ALEJKUM WE RAHMETULLAHI WE BEREKATUHU XHEMAT I NDERUAR ALLAHU JU SHPERBLEFTE PER VIZITEN E JUAJ INSH-ALLAH .... **
Dosja e Ramazanit

Artikuj per Ramazan

Video Ligjerata

Audio Ligjerata

Dua per Iftare

Dua te perditshme

Menya
Kategorite
Radio-Elkalem24/24
Bisedojm se bashku
mesohu edhe ti

Abdesi
Mesohu te marresh abdes

Namazi
mesohu te falesh Namaz

Allahu ju meshirofte
Shiko live

Shiko Meken live 24 ore


Shiko Medinen live 24 ore

Shikim te kendeshem
Sondazhi yne
web faqe islame
 
 
 
 
statistika

Umejr ibnu S'adi


"Të rrallë janë njerëzit si Umejr Ibnu Sa’di.”
(Omer ibnul Hattabi)

Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, Umejr ibnu Sa’d El Ensariu e shijoi gotën e hidhur të jetimërisë (bonjakërisë) dhe të varfërisë. Babai i vdiq pa i lënë kurrfarë pasurie apo dikë që të kujdeset për të. Mirë­po, nuk vonoi shumë dhe nëna e tij u martua me një të pasur nga fisi Evs,me Xhulase ibne Suvejdin, i cili pranoi të përkujdeset për Umejrin dhe e afroi pranë vetes.

Sjelljet i mira dhe ndjenjat fisnike të Xhulases bënë që Umejri sado pak të harrojë se është jetim. Ai e deshi Xhulasen, siç do i biri babanë, por edhe Xhulaseja ushqente dashuri të madhe ndaj tij, si babai ndaj fëmijës së vet.
Sa vinte e rritej Umejri, dashuria dhe përkujdesi i Xhulases ndaj tij gjithnjë vinte e shtohej, sepse ai në të shihte shenjat e men­dje­mprehtësisë, pjekurisë dhe virtytet e besnikërisë e të sinqeritetit në çdo punë e sjellje. 
 
Që fëmijë ‑ vetëm sa i kishte kaluar të dhjetat, Umejr Ibnu Sa’di përqafoi fenë islame. Imani zuri vend në zemrën e njomë të këtij djaloshi dhe u mishërua thellë në shpirtin e tij të pastër.
Edhe pse i ri, kurrë nuk vonohej që të falte namazin pas Resu­lullahit. Nënës së tij i bëhej zemra mal nga gëzimi kur e shihte të birin tek shkonte e vinte nga xhamia, herë vetëm e herë me të shoqin e saj.

Mirëpo, deshi Zoti xh.sh. që ta sprovojë zemrën dhe imanin e këtij djaloshi të ri me një sprovë të rëndë e të vështirë, të cilën rrallë kush prej mocanikëve të tij do të mund ta përballonte.
 

Në vitin 9 h. (hixhrijj), i Dërguari i Zotit vendosi t’iu kundër­vë­het romakëve në Tebuk dhe thirri të gjithë muslimanët në mobi­li­zim të përgjithshëm. Gjatë luftërave të mëparshme Pejgam­beri a.s. gjithmonë e mbante të fshehtë kahun dhe drejtimin, përv­eçse në rastin e Tebukut. Ai e shpalli këtë botërisht për shkak të largësisë së madhe, vështirësive të udhëtimit dhe forcës së madhe të armikut.
Këtë e bëri me qëllim që njerëzit të mendojnë më shtruar dhe të vendosin ve­të për këtë çështje.
 

Edhe përkundër thatësisë së madhe e cila mbretëronte atë ve­rë, e cila sapo kishte hyrë, saqë edhe frytet ishin tharë nga vapa për­cë­lluese, muslimanët me të madhe iu përgjigjën thirrjes së Pej­gamberit a.s. dhe filluan të përgatiten për këtë luftë me të gjitha mundësitë e tyre.
 

Mirëpo, në anën tjetër, një grup munafikësh në­për ndejat e tyre flisnin fjalë të liga kundër Resulullahut dhe në çdo mënyrë mundoheshin ta dobësonin dhe të thyenin moralin e ushtrisë muslimane duke futur dyshim në suksesin e kësaj lufte.
Në njërën prej këtyre ditëve që i paraprinë shku­arjes së ushtri­së muslimane, Umejr ibnu Sa’di u kthye në shtëpi pas faljes së nama­zit, e fytyra i shkëlqente si drita (nuri) nga të gjitha ato pamje të sakrificës dhe vetëmohimit të rrallë të muslimanëve, të cilat i kishte parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e tij.
 

...I kishte parë gratë e ensarëve dhe muhaxhirëve tek vinin te Pejgamberi a.s. për t’i dhuruar hallhallet dhe stolitë e tyre, që me to të përgatitet ushtria muslimane. Kishte parë Osman ibnu Affanin r.a. duke sjellë para Pejgamberit a.s. një qyp me 1000 (një mijë) dinarë ari.
 

Kishte qenë dëshmitar edhe i faktit kur Abdurrahman ibnu Avfi solli para Pejgamberit a.s. 200 (dyqind) okë ari. Madje kishte parë një njeri që kishte nxjerrë në shitje edhe mbulojën e fjetjes, vetëm e vetëm që me çmimin e saj të blejë një shpatë për të luftuar në rrugën e Allahut.
 

Umejri i vogël filloi t’i rikthejë edhe njëherë në kujtesën e tij këto pamje të rralla dhe çuditej me ngadalësinë dhe ngathtësinë e Xhulases tek përgatitej për udhëtim me Resulullahun, edhe përkun­dër mundësive dhe pasurisë së tij. Mu për këtë shkak Umejri dëshi­ronte ta nxiste kërshërinë dhe vullnetin e Xhulases dhe filloi t’i rrëfe­jë atij për atë që kishte parë e dëgjuar, e sidomos për atë grupin e muslimanëve të cilët, nga pamundësia për të blerë armë, e lutnin Pejgamberin a.s. me lot në sy që t’i marrë edhe ata me vete në luf­të. Mirëpo, Pejgamberi a.s., i kishte refuzuar vetëm pse s’kishte kaf­shë mbartëse për të gjithë.
 

Ndërsa Xhulaseja, pasi e dëgjoi Umejrin deri në fund, lëshoi nga goja e tij një fjalë që e hutoi dhe e stepi në vend djaloshin besimtar...
Ai tha: "Nëse është Muhammedi i sinqertë në preten-dimin e tij se është pejgamber, atëherë ne jemi edhe më të këqinj se gomerët.”
 
Umejri, i shtanguar nga habia, nuk u besonte veshëve të tij për atë që dëgjoi. Nuk ia merrte mendja se nga goja e një njeriu të mo­shuar e të mençur si Xhulaseja mund të dalin këso fjalë, të cilat e nxjerrin njeriun atypëraty (hëpërhë) nga imani në kufër (mos­besim) të vërtetë.
 

...Ashtu siç i zbërthen me shpejtësi problemet e ndërlikuara ma­tematikore llogaritësi i saktë elektronik, ashtu edhe truri i Umejrit filloi të hulumtojë e të mendojë se çfarë të bëjë...
 

‑ Nëse hesht dhe e mbulon atë që tha Xhulaseja, atëherë ajo do të ishte tradhti ndaj Allahut xh.sh. dhe ndaj Pejgamberit a.s. dhe njëherazi edhe dëmtim i Islamit, ndaj të cilit hipokritët po planifiko­nin kurthe, intriga e komplote të ndryshme.
 

‑ E nëse e shfaq dhe i përcjell fjalët e tij te Pejgamberi a.s., atë­herë kjo do të ishte padëgjueshmëri dhe gjest i mosmirënjohjes ndaj njeriut të cilin e kishte si në vend të babait. Do të ishte "shpër­blim” me të keq për të mirat e Xhulases ndaj tij, sepse Xhulaseja ishte ai që e mori në përkujdesje kur ishte jetim, e nxori nga varfëria në pasuri dhe ia kompensoi humbjen e dashurisë atërore.
 

Para djaloshit ishin vetëm dy zgjidhje: cilën të zgjedhë prej dy të hidhurave?!... Vendosi me shpejtësi dhe u kthye nga Xhulaseja e i tha: - Për Zotin, o Xhulase, nuk ka për mua njeri më të dashur se ti në fytyrën e tokës pas Muhammedit a.s. Ti je njeriu më i shtrenjtë, më i afërt dhe më mirëbërësi ndaj meje, por the një fjalë që, nëse e përmend do të të turpërojë para njerëzve, e nëse e mbaj, atëherë do ta tradhtoj amanetin, shpirtin dhe fenë time. Prandaj, dije se unë kam vendosur që të shkoj tek i Dërguari i Zotit dhe do ta lajmëroj për atë që the.
 
Umejri i vogël shkoi në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe e lajmë­roi atë për fjalët që i dëgjoi nga Xhulaseja. Kur i dëgjoi Muhammedi a.s. këto fjalë e ndali Umejrin pranë vete dhe e dërgoi njërin prej shokëve të tij që të thërrasë Xhulasen.
Nuk vonoi shumë e ia behu Xhulaseja dhe pasi, e përshëndeti Pejgamberin, u ul para tij.
 

‑ Ç’janë këto fjalë që ka dëgjuar Umejri prej teje, o Xhulase?! ‑ e pyeti Pejgamberi a.s.
‑ Ka gënjyer dhe ka shpifur ndaj meje, o i Dërguar i Zotit, se prej gojës sime kurrë nuk kanë dalë fjalë të tilla ‑ ia ktheu ai.
Atëherë sahabët filluan t’i drejtojnë shikimet e tyre herë nga Xhu­la­seja e herë ka Umejri, sikur dëshironin të lexonin në shenjat e fytyrave të tyre atë që fshehnin në zemra.
 

Filluan të përshpërisin e njëri prej tyre i tha "dja­lë mosmirënjohës që të mirën e kthen me të keqe.” Kurse të tje­rët thonin: ‑ Jo, por djalë që është rritur në respektin ndaj Allahut, sepse shenjat e fytyrës së tij flasin se ai thotë të vërtetën.
Pejgamberi a.s. u kthye nga Umejri dhe vërejti se fytyra i ishte skuqur e tëra nga gjaku që po i vlonte dhe nga sytë lotët i pikonin pa­ndër­prerë duke iu ravijëzuar nëpër mollëzat e faqeve të tij dhe thosh­­te: "O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që tha­shë!...O Allah, zbriti të Dërguarit tënd sqarimin e asaj që thashë!”...
 

Kur e pa tërë këtë skenë, Xhulaseja u trimërua edhe më shumë dhe tha: - O i Dërguar i Zotit! Ajo që të thashë unë, ‑ ajo është e vër­teta. Nëse ke dëshirë, ne mund edhe të betohemi para teje, e unë të betohem në Allahun se nuk kam thënë asgjë nga ajo që ta ka përcjellë Umejri.
 

...Ende pa i mbaruar mirë Xhulaseja këto fjalë dhe kur shikimet e njerëzve filluan të drejtohen kah Umejr Ibnu Sa’di, Pejgamberin a.s. e kaploi një kotje. Shokët e tij e kuptuan se është duke i zbritur Vahji (Shpallja), prandaj menjëherë zunë vendet e tyre për të pritur se çka do t’u komunikojë i Dërguari a.s. nga ana e Allahut xh.sh.
Në këtë çast frika dhe të dridhurat filluan ta kaplojnë Xhulasen, kurse Umejrit ndjenjat e ngrohta të kënaqësisë filluan t’i përshkoj­në tërë trupin.
 

Atëherë Pejgamberi a.s. komunikoi Fjalët e Allahut xh.sh:
"Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë (asgjë të keqe), e në të vërtetë, kanë thënë fjalë të kufrit (mosbesimit) dhe, pasi që patën shprehur besimin, ata e mohuan dhe u përpoqën për atë (mbytjen e Pejgamberit) që nuk e arritën. Ata nuk urrejnë për tje­tër pos pse Allahu nga mirësitë e Tij dhe i Dërguari i Tij i be­gatoi ata. Nëse ata pendohen, do të jetë më mirë për ta, e nëse re­fuzojnë, Allahu i dënon me një dënim të dhembshëm, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. E në këtë rruzull të tokës nuk ka për ta as mbrojtës e as ndihmës.” (Et‑Teube: 74)
 

Xhulaseja kur e dëgjoi këtë ajet, u drodh, u trishtua dhe gati iu lidh gjuha në nyjë nga frika e pastaj u kthye nga i Dërguari a.s., duke thënë: ‑ Por po pendohem o i Dërguar i Allahut, po pendo­hem...se Umejri e tha të vërtetën, o Pejgamber i Zotit, e unë isha prej gënjeshtarëve, prandaj lute Zotin që të ma pranojë pendimin, kurban u bëfsha për ty!
Në këtë çast i Dërguari i Zotit u kthye nga djaloshi i ri, Umejr ibnu Sa’di, dhe pa se lotët e gëzimit i kishin mbuluar fytyrën, e cila po ndriçonte e tëra nga nuri i imanit. E zgjati dorën e tij të bekuar kah veshi i tij dhe, pasi e lëmoi me butësi, tha: "Vesh besnik, atë që e dëgjove me veshët e ty o djalosh, atë ta vërtetoi Allahu xh.sh.”
 
 
Ndërsa Xhulaseja pas pendimit u kthye dhe e përmi­rësoi Islamin e tij. Sahabët e dinin mirë gjendjen e tij, ngase kishte qenë gjithmonë bamirës e zemërgjerë, si ndaj Umejrit ashtu edhe ndaj të tjerëve. E sa herë që përmendej Umejri, ai thoshte: - Allahu e shpërbleftë me të mira në vendin tim, se ai më shpëtoi nga kufri (mosbesimi) dhe zjarri i xhehenemit.
 
Nuk është vetëm ky rast i vetmi dhe më i ndritshmi në jetën e djaloshit, Umejr ibnu Sa’d. Të tillë gjatë jetës së tij pati edhe shumë e shumë të tjerë.
...E tani, mirupafshim me Umejr ibnu Sa’din, në rininë e tij...


Lexuar: 8872 | Shtuar nga: studio-islam | Data: 23-October-2010
Shkruani një Koment
Name *:
Email *:
Code *:
Gjithsej Komente: 0
Copyright © 2010 |