E teta- Peshoja (Mizani).
Peshoja është e vërtetë dhe obligohemi të besojmë në të. Me peshojë në Ditën e Kijametit Allahu xhel-le shanuhu i peshon veprat e robëve për t’i shpërblyer ata sipas veprave të tyre. Është peshojë që ka dy krahë dhe ka gjuhë, maten me të veprat, apo fletushkat ku shënohen veprat, apo vet vepruesi. Ndoshta maten të gjithë këta, por kriter për peshën e rëndë dhe të lehtë janë veprat e jo vet vepruesi e as fletushkat.
Thotë Allahu subhanehu ve teala:
"Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës".(El-Enbija-47)
"
"Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar.(El-Araf-8)
"Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.(El-Araf-9)
Thotë i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Pastërtia është gjysma e imanit, ndërsa elhamdulilahi (falënderimi Allahut) e mbush peshojen” (Muslimi). Gjithashtu thotë sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Vendoset peshoja në Ditën e Kijametit, e edhe sikur të peshoheshin në të qiejt dhe toka do të mjaftonte” (El Hakim).
|