Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: "I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, nuk plotësoi agjërimin e ndonjë muaji përveç muajit të Ramazanit dhe as nuk e kam parë gjatë ndonjë muaji të agjërojë më tepër sesa gjatë muajit Shaban." (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu thotë: "Ai agjëronte vullnetarisht në muajin Shaban më shumë se në çdo muaj tjetër dhe ai e agjëronte shumicën e Shabanit."
Urtësia e shtimit të agjërimit të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në këtë muaj
Kur i Dërguari i Allahut është pyetur lidhur me këtë, ai tha: "Ky është një muaj të cilit njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje, mes Rexhebit dhe Ramazanit, dhe është një muaj në të cilin veprat ngrihen deri tek Zoti i botëve. Unë dua që veprat e mia të ngrihen derisa jam duke agjëruar." (Shënon Ebu Daudi)
Ibn Rexhepi, Allahu e mëshiroftë, lidhur me fjalët e të Dërguarit: "Ky është një muaj të cilit njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje", thotë: "Nga kjo kuptojmë se gjatë kësaj kohe kur njerëzit janë të pakujdesshëm dhe nuk i kushtojnë vëmendje (për shkak se bie mes dy muajve të rëndësishëm, muajit të shenjtë të Rexhebit dhe muajit të agjërimit, njerëzit janë të preokupuar me këta dy muaj dhe nuk i kushtojnë vëmendje Shabanit), ky muaj duhet shfrytëzuar me adhurime dhe respekt ndaj Allahut dhe se kjo është një gjë e dashur për Allahun. Shumë njerëz mendojnë që agjërimi në muajin Rexheb është më i mirë se në muajin Shaban, ngaqë Rexhebi është një nga muajt e shenjtë, por kështu nuk qëndron puna. Ndaj, për muslimanin është e rekomanduar shpeshtimi i agjërimit gjatë këtij muaji, sipas mundësisë së tij.
Muslimani duhet t'i kujtojë fjalët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të: " Agjërimi është mburojë." (Shënon Buhariu) Si dhe: "Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu e largon fytyrën e tij nga zjarri shtatëdhjetë vjet." (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Përgatiti: Almedin Ejupi
|