Sot është - E Premte | Data: 29-March-2024 | Ora: 13:56
NDRYSHO DIZAJNIN
**.... Guest ....** ...ES-SELAM ALEJKUM WE RAHMETULLAHI WE BEREKATUHU XHEMAT I NDERUAR ALLAHU JU SHPERBLEFTE PER VIZITEN E JUAJ INSH-ALLAH .... **
Dosja e Ramazanit

Artikuj per Ramazan

Video Ligjerata

Audio Ligjerata

Dua per Iftare

Dua te perditshme

Menya
Kategorite
Radio-Elkalem24/24
Bisedojm se bashku
mesohu edhe ti

Abdesi
Mesohu te marresh abdes

Namazi
mesohu te falesh Namaz

Allahu ju meshirofte
Shiko live

Shiko Meken live 24 ore


Shiko Medinen live 24 ore

Shikim te kendeshem
Sondazhi yne
web faqe islame
 
 
 
 
statistika

Vuajtjet e Profetit a.s.


Profeti a.s. për 43 vite ishte njohur nga vetë populli i tij si fjalëdrejti, i besueshëm. Zoti e kishte zgjedhur atë si njeriun më të mirë dhe të dashurin e Tij.

Reagimet e kurejshëve ishin të forta përballë këmbënguljes së Profetit (a.s) dhe muslimanëve të tjerë. Fillimisht ata filluan duke hedhur dyshime mbi personalitetin e Profetit (a.s) dhe rreth asaj që ftonte. Ata talleshin dhe e ofendonin me ç'ju vinte në mendje. Kur e panë që kjo nuk po sillte dobi, filluan të talleshin dhe t'a ofendonin nga familja. Më pas filluan torturat fizike dhe përpjekjet për ta vrarë.

Të gjitha këto i përballonte Profeti (a.s) me qëllim që ne sot të jemi muslimanë.

Njerëzit me dinjitet dhe karakter të lartë, e kanë të vështirë t'ju preket karakteri dhe dinjiteti. Ata pranojnë të sakrifikojnë gjithë pasurinë, kurse karakterin e duan të pastër. Profeti (a.s) për 43 vite ishte njohur nga vetë populli i tij si fjalëdrejti, i besueshëm. Zoti e kishte zgjedhur atë si njeriun më të mirë dhe të dashurin e Tij. Megjithatë ai e sakrifikoi karakterin e tij për shkak të mesazhit me të cilin ishte obliguar. Të gjithë në Meke talleshin dhe e ofendonin, por ai vazhdonte në rrugën e tij. Është njëlloj sikur të të vihen kundër të gjitha gazetat dhe mjetet e informacionin. A do i duroje dot të përdhosin dinjitetin dhe karakterin tënd?!

Veç sa përmendëm, kurejshët ranë dakort që sapo ta shihnin duke ecur në rrugë, do i shkonin afër dhe duke thërritur "I çmendur, i çmendur" do fillonin të vraponin, sikur kishin frikë prej tij.

"Dhe thanë: O ti që të është shpallur përkujtimi, ti je i çmedur".

Në çdo cep dhe në çdo rrugë që ta shihnin, vepronin ashtu, saqë kjo u përhap në të gjithë Meken. Madje edhe kur vinin fiset gjatë sezonit të Haxhit, i këshillonin duke u thënë:"Kini kujdes nga një djalosh prej kurejshëve! Mos të të largojë nga feja me çmendurinë e tij". Kur vinin në Meke dhe Profeti (a.s) ishte mes njerëzve, ata ia bënin me shenjë të tjerëve "Ja ku është i çmenduri".

Një nga ata që e lëndonin më shumë, ishte dhe Umu Xhemil, gruaja e xhaxhait të tij Ebu Lehebit. Sa herë që e shihte Profetin (a.s) që hynte në shtëpinë e tij, ajo merrte gjemba dhe mbeturina dhe i hidhte para derës së Profetit (a.s). Kur dilte Profeti (a.s) dhe shihte mbeturinat para derës, thoshte:"A kështu silleni me komshinë o kurejshë"?

Ajo nuk pushonte se ndezuri zjarrin e armiqësisë kundër Profetit (a.s). Këtë e përshkruan dhe Kurani:"Dhe gruaja e tij që mbante drurë. Në qafë do të ketë një litar prej zjarri". (Mesed 4-5)

Kur dëgjoi për këto, ajo doli në rrugë duke thirrur:"Ku është Muhamedi"? Dikush i tha që është me Ebu Bekrin tek Qabeja. Ajo shkoi atje dhe në dorë kishte marrë gurë. Kur arriti, pa Ebu Bekrin dhe i tha:"Ku është shoku yt?" Profeti (a.s) ishte aty pranë Ebu Bekrit, por ajo nuk e shihte dot .

Ebu Bekri nuk i kthen përgjigje. Atëherë ajo i tha:"Kam dëgjuar se ai më ka satirizuar. Nëse e shoh do ia përplas këtë gur në fytyrë. Nëse ai është bejtexhi, edhe unë jam bejtexhie.". Më pas del në mes të kurejshëve dhe fillon të thurrë bejte:

Mudhemmemin e kundërshtuam (Nuk i thoshte Muhamed – i lavdëruar- por Mudhemem- i përbuzur)

çështjen e tij e refuzuam

dhe fenë e tij urrejmë.

Me të dëgjuar të tjerët këto bejte filluan të gjithë, edhe fëmijët duke i përsëritur. Disa thonin që edhe gratë kanë filluar tani të tallen me të.

Më pas kurejshët ranë dakort që të mos e thërrasin më me emrin Muhamed, por me Mudhemem (i përbuzur). Sa herë që e shihnin ata thonin:"Po vjen Mudhemem, po ikën Mudhemem". Kjo i lëndonte së tepërmi shokët e Profetit (a.s).

Kurse Profeti (a.s) i qetësonte dhe u thoshte:"I lini! Ata po ofendojnë Mudhemem-in, kurse unë jam Muhamedi".

Një herë teksa Profeti (a.s) po kryente tavafin rreth Qabes, sa herë që kalonte tek vendi ku ishin ulur kurejshët, ata thonin diçka për të qeshur me të. Nga e qeshura e madhe filluan të lëkunden sa majtas-djathtas. Gjatë rrotullimit të parë dhe të dytë Profeti (a.s) nuk ua ktheu. Kur qeshën dhe e ofenduan dhe në rrotullimin e tretë, ai u drejtua drejt tyre dhe kur u afrua u tha:"A e dini o kurejshë? Nëse nuk do të ndaloni, u kam sjellë vdekjen".

Kur dëgjuan këto fjalë, kurejshët heshtën dhe i thanë:"O babai i Kasimit, ne nuk të kemi njohur veçse si të urtë dhe zemërmirë".

Me këtë rast Profetit (a.s) i shpallen ajetet:"Me të vërtetë që kriminelë janë ata që talleshin me ata që besuan. Dhe kur kalonin ata (besimtarët) ata ia bënin njëri-tjetrit me sy. Dhe kur ktheheshin tek familjet e veta ktheheshin të gëzuar. Kur i shihnin (besimtarët) thonin:"S'ka dyshim se këta janë në humbje…..E sot ata që besuan do të tallen me jobesimtarët. Të mbështetur në kolltukë do të shikojnë. A u shpërblyen jobesimtarët për atë që vepruan?" (Mutaffifin 29-36)

Me këto ajete Zoti u jepte zemër dhe forcë besimtarëve dhe Profetit (a.s). Sigurisht që Profeti (a.s) lëndohej dhe mërzitej nga ajo që thonin. Zoti shpall ajete të tjera me të cilat e qetësonte:

"Ne e dimë që ajo që thonë të lëndon."

"Ne e dimë që të ngushtohet kraharori për atë që thonë. Ti madhëroje emrin e Zotit tend."

"Nuk të thuhen vetëmse ato që u janë thënë dhe të dërguarve para teje. Zoti yt ka mëshirë dhe ndëshkim dhe dhimbshëm."

Të gjitha këto vuajtje të Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij, ishin me qëllim që ne sot të jemi muslimanë.

Po ne vallë, çfarë kemi bërë për fenë tonë? Kush prej nesh është kokëlartë për atë që ka sakrifikuar dhe i ka dhënë fesë? Thotë Zoti në Kuran:"Ju ishit umeti më i mirë që ka ardhur për njerëzimin. Urdhëroni për mirë dhe ndaloni nga e keqja…"

Po ne vallë a e kemi bërë këtë?

"O ju që keni besuar, mos e tradhëtoni Zotin dhe të dërguarin."

Tradhëtia këtu është duke e lënë pas shpine mesazhin e tij dhe të jetosh vetëm për veten tënde.

Toka dhe njerëzimi sot nuk e besojnë që ne dhe feja jonë është mëshirë për të gjithë. Ajo që kërkohet prej nesh është që t'jua vërtetojmë një fakt të tillë. Ne sot konsiderohemi si shkaktarë të terrorizmit, konflikteve dhe të problemeve të shumta, për shkak se askush prej nesh nuk punon për të rregulluar.

A do të dëshiroje o vëlla që të kishe jetuar në kohën e Profetit (a.s) dhe të sakrifikoje bashkë me të për këtë fe? Ti mund ta arrish atë shpërblim dhe më shumë nëse sot ti sakrifikon dhe përpiqesh për këtë fe. Ditën e Kiametit do e takosh Profetin (a.s) dhe do i thuash:'Nuk të kam parë në dynja, por të kam dashur shumë. Nuk jetova me ty, por ndoqa rrugën tënde. Nuk dija shumë gjëra rreth teje, por eca në gjurmët e tua".

Pas vdekjes së Profetit (a.s) të gjithë shokët e tij qanin dhe ishin të mërzitur, përveç njërit që dukej i gëzuar. Kur e pyetën se si mundej ta bënte këtë kur të gjithë qanin, ai ua ktheu:"Unë jam i gëzuar pasi e ndjek rrugën e tij tani që ka vdekur, ashtu siç e ndiqja kur ishte gjallë. Për këtë do të shpërblehem dy herë".

Një herë Profeti (a.s) u tha shokëve të tij:"Më ka marrë malli për vëllezërit e mi". Shokët e tij e pyetën:"A nuk jemi vëllezërit e tu, o i dërguar i Zotit"? "Jo – u tha ai – ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që do vijnë pas meje dhe që do më besojnë pa më parë".

Të gjitha këto metoda që ndoqën kurejshët nuk sollën dobi. Profeti (a.s) vazhdonte në rrugën e tij, me këmbëngulje.

Kështu kurejshët kaluan në një metodë tjetër. Duke lënduar familjen e tij duke përhapur që Muhamedi (a.s) nuk lind dot djem, por vetëm vajza. Në atë kohë, kjo ishte tallja dhe ofendimi më i madh mes arabëve.

Për këtë, filluan të përhapin mes njerëzve që Muhamedi (a.s) është farëshuar. Këtë për herë të parë e nxorri As ibnu Vail, babai i Amr ibnul Asit. Ata i thonin që sapo të vdesësh ti, do të ndihemi të qetë pasi nuk do të kesh fëmijë që të ndjekin rrugën tënde, pasi sa herë që të lind fëmijë të vdes.

Diçka e tillë, më shumë se lëndonte Profetin (a.s), lëndonte vetë Hadixhen (a.s), pasi ajo ishte 55 vjeçe në atë kohë dhe nuk mund të lindte.

Në këtë kohë Zoti shpall një sure, për të qetësuar Profetin (a.s) dhe Hadixhen:

"Ne ta kemi dhënë Keutherin. Prandaj falu për Zotin dhe bëj kurban. Farëshuar është armiku yt." (Keuther 1-3)

Megjithë këto lëndime dhe vuajtje, Profeti (a.s) duronte dhe as nuk i mallkonte dhe të luste Zotin të hakmerrej. Profetin (a.s) ne e kemi shembullin më të mirë në mënyrën se si të komunikojmë me të tjerët, pa zënka dhe sherre.

Zoti i shpall atij dhe ajete të tjera me qëllim që ta qetësojë dhe ti japë zemër.:

"A nuk ta hapëm kraharorin? Dhe ta hoqëm pre teje barrën? E cila të rëndonte mbi shpinë? A nuk ta rritëm namin dhe emrin tënd? Padyshim që pas vështirësive vjen lehtësimi. Vërtet që pas vështirësive vjen lehtësimi". (Sherh 1-6)

Ebu Lehebi ndërmorri një hap tjetër për të fyer Profetin (a.s). Ai u kërkoi dy djemve të tij, që ishin të fejuar me vajzat e Profetit (a.s), që të ndaheshin prej tyre. Kështu ai shkoi tek dy djemtë e tij dhe u tha:"Unë nuk kam më punë me ju, nëse nuk i lini vajzat e Muhamedit" dhe ata i lanë.

Njëra nga vajzat e Profetit (a.s) Rukajje martohet me Uthman ibnu Affanin më pas. Kurse tjetra, Ummu Kulthum do të mbetet pa martuar derisa të emigrojnë në Medine.

Megjithë këto që i ndodhnin, Profeti (a.s) vazhdonte i vendosur në rrugën e tij. Sa herë që takohej me ta, Profeti (a.s) i ftonte të hynin në Islam.

Një herë teksa po i fliste Ebu Xhehlit për fenë, ai i tha:"O Muhamed, a dëshiron që të dëshmoj para Zotit tënd që ti e ke përçuar mesazhin me të cilin je obliguar? Do të dëshmoj, veç më lër rehat. Nëse do e dija që thua të vërtetën do të të ndiqja, por e di që je gënjeshtar".

Profeti (a.s) e la dhe u largua pa thënë gjë. Pasi Profeti (a.s) u largua, Ebu Xhehli iu kthye dikujt që kishte në krah dhe i tha:"Për Zotin unë e di, që ai thotë të vërtetën. Por ne me familjen e Abdul Mutalibit kemi qenë gjithmonë në konkurencë. Sa herë që ata ushqenin pelegrinët, i ushqenim dhe ne. Kur u jepnin për të pirë ujë, u jepnim dhe ne. Vazhduam kështu duke qenë baraz, derisa thanë:"Prej nesh ka dalë një profet". Po ne ku ta marrim profetin? Për Zotin nuk e besoj kurrë".

Kështu që çështja ishte çështje interesash personalë. Kurrë mos ndiq interesat dhe të lësh të vërtetën si Ebu Xhehli. Ashtu siç u sprovua Ebu Xhehli dhe të tjerë dhe zgjodhën interesin e tyre vetjak, po ashtu sprovohet secili prej nesh sot dhe vihet të zgjedhe mes interesit vetjak dhe diçkaje të drejtë.

Vallë a do të kopjosh në provim o vëlla, nëse nuk je përgatitur? Po ti o inxhinier, a do të përdorësh material më pak në ndërtetsën që po ndërton, me qëllim që të fitosh më shumë?

Gratë kanë mundësi që t'i ndalojnë burrat e tyre nga fitimi i pasurisë në rrugë haram. Prandaj o motër, mos bëj sehir kur të shohësh burrin që të sjell pasuri haram! Lutju dhe i thuaj që mos i ushqejë fëmijët me pasuri haram. Këshilloje që të ruhet nga harami. Vepro siç vepronin gratë e shokëve të Profetit (a.s) që kur dikujt i dilte burri për të fituar, ajo e shoqëronte deri tek dera dhe i thoshte:"Kij frikë Zotin dhe dije që ne mund t'a durojmë urinë, por nuk mund ta durojmë zjarrin!"

Kurejshët pasi e panë që gjithë mënyrat që përdorën nuk patën sukses, kaluan në torturat fizike. Ai që e torturonte dhe lëndonte më shumë Profetin (a.s) ishte Ukbe ibnu Meit. Një herë teksa Profeti (a.s) po falej para Qabes, ai merr një pëlhurë, ia hedh rreth fytit dhe e shtrëngon fort. Ai vazhdoi derisa Profeti (a.s) ra në gjunjë.

Një herë tjetër teksa Profeti (a.s) falej pranë Qabes, Ukbe ibnu Meit shkon tek një deve e ngordhur aty pranë, ia heq zorrët dhe të brendshmet, i merr dhe shkon dhe ia hedh Profetit (a.s) sipër, teksa ishte në sexhde. Vazhdon të qëndrojë Profeti (a.s) në atë gjendje derisa erdhi një nga vajzat e tij dhe ia hoqi nga shpina. Kur e pa Profeti (a.s) që ajo qante, duke ia fshirë lotët i tha:"Mos qaj o bija ime, pasi Zoti do e ndihmojë babanë tënd".

Vallë çfarë do i themi Profetit (a.s) kur të na pyesë ditën e Kiametit se çfarë kemi bërë me mesazhin e tij?

Imagjinoje veten ditën e Kiametit, teksa Profeti (a.s) qëndron tek burimi i tij dhe të shikon ty duke vajtur. Ai do të thërrasë:"Umeti im, umeti im" dhe do të kërkojë të na japë ujë nga burimi për shkak të etjes së madhe që ndjejmë. Por siç thuhet dhe në hadith, do të vijnë melekët dhe do i thonë:"O Muhamed, lëri se ti nuk e di se çfarë kanë bërë pas teje". Atëherë Profeti (a.s) do të thotë:"Larg meje, larg meje".

Gjithë vuajtjet dhe torturat që hoqi Profeti (a.s), ishin për shkak se ai dëshironte që ne të jemi muslimanë.

Kishte raste kur kurejshët e prisnin në një qoshe derisa të kalonte dhe i hidhnin rërë në sy.

Thotë Zoti në Kuran:"Muhamedi nuk është veçse një i dërguar, si një nga të dërguarit e mëparshëm. Dhe nëse vdes ose vritet, ju a do të ktheheni përsëri prapa (duke braktisur besimin e tij)?! (Al Imran 144)

Po ti o vëlla, a do e braktisësh Profetin (a.s) tani që ka vdekur?

Të gjitha këto që i vepronte kundër Profetit (a.s), Ukbe ibnu Meit i vepronte për shkak se ishte shok me Ebu Xhehlin. Në fillim, ai duke dëgjuar Profetin (a.s) filloi të ndikohej nga fjalët e tij. Ai filloi t'a dojë Profetin (a.s) dhe dëgjonte prej tij Kuran. Gjatë kësaj kohe Ebu Xhehli, shoku i tij, ishte në udhëtim. Kur u kthye nga udhëtimi, Ukbe i tregoi mbi ndikimin që kishte nga Profeti (a.s) dhe i shfaqi simpati për të.

Kur e dëgjoi Ebu Xhehli i tha:"Unë nuk të shoh me sy dhe nuk të flas me gojë, derisa të shkosh dhe ta pështysh Muhamedin".

Ukbe ibnu Meit, duhej të zgjidhte mes të drejtës dhe shokut të keq, dhe ai zgjedh shokun e keq.

Më trego me kë shoqërohesh, të të them nëse do të pendohesh nga gjynahet apo jo. Më thuaj kë ke shok të të them që pas muajit të Ramazanit do të vazhdosh në adhurimin e Zotit dhe larg gjynaheve apo jo.

Kështu Ukbe ibnu Meit, zgjodhi shokun e tij Ebu Xhehlin dhe shkoi dhe e pështyu Profetin (a.s) në fytyrë.

Për Ukben është shpallur dhe ajeti i Kuranit që thotë:"Atë ditë që zullumqari të kafshojë dy duart e veta dhe të thotë: Ah sikur të kisha ndjekur rrugën e të dërguarit. I mjeri unë, sikur të mos e kisha bërë shok filanin. Ai më largoi nga përkujtimi pasi më erdhi..." (Furkan 27-29)

Një herë tjetër teksa Profeti (a.s) falej pranë Qabes, Ebu Xhehli që bisedonte me kurejshët e tjerë u thotë:"Betohem në Latin dhe Uzzanë (dy idhuj) do ia vendos këmbën Muhamedit në qafë dhe do ia shtyp kokën në rërë."

U nis të shkojë dhe sapo u afrua pranë Profetit (a.s) filloi të dridhej dhe u largua me vrap. Të pranishmit e pyetën:" Çfarë ndodhi?"

Ai duke u dridhur u tha:"Pashë mes meje dhe mes Muhamedit një hendek që ndizej flakë. Nëse do të afrohesha, do të isha shkrirë."

Në çdo rast që fyerjet dhe ofendimet ishin të tepruara, Profetin (a.s) e ruante Zoti me një mrekulli.

Pasi kishte emigruar në Medine Profeti (a.s) u tregonte shokëve të tij vuajtjet në Meke dhe u thoshte:"Unë jam lënduar në një kohë që nuk lëndohej kush. Jam frikësuar, kur nuk frikësohej kush. Jam ndjerë i uritur kur nuk ndjehej kush. Kam kaluar tridhjetë netë, pa pasur në barkun tim dhe në barkun e Bilalit gjë që mund të hahej. Ajo me të cilën ushqehesha, ishte diçka të cilën Bilali mundej ta fshehë poshtë sqetullës."

Këto i ndodhnin Profetit (a.s), emri i të cilit është shkruar mbi derën e xhenetit. I ndodhnin Profetit (a.s), që ditën e Kiametit kur të trokasë në derën e xhenetit, meleku nga brenda do i thotë:"Jam urdhëruar që të mos e hap këtë derë, për tjetër kënd përveç teje o i dërguar i Zotit".

Megjithë këto që i ndodhnin Profetit (a.s), ai vazhdonte të jetë këmbëngulës në rrugën e tij dhe përkrahte të drejtën sido që të ishte puna.

Një nga fshatarët e Mekes, i kishte dhënë Ebu Xhehlit një sasi të hollash borxh dhe sa herë ia kërkonte, Ebu Xhehli ia mohonte. Një ditë, del në Meke duke kërkuar dikë që t'a ndihmojë, për të marrë të drejtën e tij. Pranë Qabes, shikon një grup nga Kurejshët, u afrohet dhe me shpresë se do ta ndihmonin u thotë:

"A ka ndonjë prej jush, që mund të më ndihmojë që Ebu Xhehli të më kthejë paratë që më ka borxh?"

Kurejshët shfrytëzuan momentin që të talleshin me Profetin Muhamed (a.s). Kështu i thonë fshatarit që nëse kërkon dikë që të të ndihmojë për të marrë paratë, është vetëm ai që po falet tek Qabeja, duke i bërë me shenjë Profetin (a.s). Me këtë deshën që të talleshin dhe të qeshnin me Profetin (a.s).

Çohet fshatari dhe shkon drejt Profetit (a.s). Kur arrin afër tij, e përshëndet dhe i qan hallin. Më pas i thotë: "Tek ti më drejtuan ata njerëzit që janë ulur atje, të cilët më thanë se vetëm ti mund të më ndihmosh, për të marrë paratë e mia."

Profeti (a.s)i e kupton lojën e kurejshëve, megjithatë i vendosur i thotë: "Po, eja të shkojmë".

Profeti (a.s) ishte i fundit që mund ta ndihmonte atë, pasi Ebu Xhehli siç thamë në fillim, ishtë ai që e torturonte dhe i shkaktonte vuajtje, më shumë se kushdo tjetër, por morali dhe dëshira për të përkrahur një çështje të drejtë, e bënë që t'i ofronte ndihmë. Kudo që të ishte e drejta, do të gjeje Profetin (a.s).

E merr fshatarin për dore dhe së bashku shkojnë tek shtëpia e Ebu Xhehlit. Trokasin në derë dhe kur del Ebu Xhehli, Profeti (a.s) i thotë: "A i ke marrë këtij njeriu para borxh o Ebu Xhehl?"

"Po" – ia kthen ai.

"Atëherë ktheja tani!" – e urdhëron Profeti (a.s).

Për habi të të gjithëve, Ebu Xhehli jo vetëm që nuk kundërshtoi, por hyri brenda mori sasinë e parave dhe ia ktheu fshatarit. Fshatari mori paratë e tij, falenderoi Profetin (a.s) dhe u largua.

Kurejshët, të cilët po e ndiqnin këtë nga larg, mbetën me gojë hapur, nga habia. Të habitur, shkojnë tek Ebu Xhehli dhe e pyesin se si kishte mundësi që ia kishte dhënë paratë. Por ai ua ktheu: "Pashë një deve pas Muhamedit, që kishte hapur gojën. Nëse nuk do ia kisha kthyer paratë, do të më kishte ngrënë."

Profetit (a.s) i ndodhnin mrekulli të tilla, por pasi të kishte derdhur djersë dhe të ishte përpjekur.

Ashtu siç vuante vetë Profeti (a.s) filluan të vuanin dhe shokët e tij.

Abdullah ibnu Mesudi ishte shumë i dobët. Një herë teksa po ngjitej në një pemë, iu zbuluan këmbët dhe shokët e tij filluan të qeshin, pasi ishin shumë të holla. Profeti (a.s) i pa dhe u tha:"A qeshni me këmbët e dobëta të tij? Për Zotin, ata janë më të rënda tek Allahu se vetë mali i Uhudit".

Një herë Abdullah ibnu Mesudi, qëndroi në këmbë para Qabes dhe filloi të këndojë versete, nga sureja Rahman. Kurejshët menjëherë e rrethojnë dhe fillojnë t'a godasin me ç'të mundin.

Shokët e tij shkojnë dhe e shpëtojnë prej tyre. Megjithëse ishte rrahur keq, ai pa nga shokët e tij dhe u tha:"Për Zotin do e përsëris të njëjtën gjë të nesërmen."

Të nesërmen, shkon përsëri tek Qabeja dhe më zë të lartë fillon të këndojë Kuran. Kurejshët e rrethojnë përsëri dhe fillojnë ta rrahin më keq se një ditë më parë. Pasi e shpëtojnë shokët e tij, u thotë përsëri:" Për Zotin do e përsëris të njëjtën gjë të nesërmen." Por Profeti (a.s) i tha:"Jo, jo, mjafton me kaq".

"Për Zotin o i dërguar i Zotit – i thotë përsëri – nuk më janë dukur më të dobët se sot."

Një herë Ali ibnu Ebi Talibin e pyetën se kush ishte njeriu më trim prej tyre. Ai i tha:"Ebu Bekri".

"Po përse?" e pyeti.

Aliu i tha:"Një here, Profetin (a.s) e rrethuan kurejshët tek Qabeja dhe njëri e godiste, njëri e shtynte dhe një tjetër e tërhiqte. Në ato momente vjen Ebu Bekri, i cili filloi t'i shtyjë dhe u thoshte:"A doni të vrisni një njeri për shkak se thotë Zoti im është Allahu?!" Atëherë ata lanë Profetin (a.s) dhe filluan me Ebu Bekrin. Ukbe ibnu Meit e shtyu Ebu Bekrin, i cili u rrëzua në shpinë. Ukbe hoqi nallanat që kishte veshur dhe filloi ta godasë Ebu Bekrin në fytyrë. Ebu Bekrit iu fry fytyra saqë nuk i dallohej hunda nga sytë dhe humbi ndjenjat. Kur humbi ndjenjat kurejshët menduan se vdiq dhe e lanë. Ashtu e mbajtën në krahë dhe e çuan në shtëpi. Kur arritën në shtëpi, i thanë nënës së tij:"Nëse mbetet gjallë, jepi të hajë dhe të pijë dhe mos e lejo të dalë pa kaluar tre ditë".

Natën përmendet Ebu Bekri dhe fjala e parë që thotë është:"Çfarë i ka ndodhur të dërguarit të Zotit"?

Nëna e tij ia kthen:"Lëre Muhamedin dhe shiko hallin tënd."

Por Ebu Bekri i tha:"Për Zotin, nuk do të ha dhe nuk do të pi, derisa të qetësohem për të. Shko tek Fatime bintu Hattab (motra e Umerit) dhe pyete se çfarë i ndodhi Profetit (a.s)!" Shkoi nëna e tij dhe e pyeti motrën e Umerit për Profetin (a.s), por ajo i tha:"Nuk di gjë,(pasi kishte frikë nga Umeri se mos e merr vesh se ka pranuar Islamin) por nëse dëshiron mund të vij me ty".

Kështu vajtën në shtëpinë e Ebu Bekrit. Me t'i parë, ai i pyeti për Profetin (a.s). Fatimeja i tha:"O Ebu Bekr, është nëna jote këtu."

"Mos kij frikë – i tha Ebu Bekri – ajo është me ne". Atëherë Fatimeja e qetësoi dhe i tha që është mirë.

Ebu Bekri u tha përsëri:"Për Zotin, nuk do të ha dhe nuk do të pij gjë, derisa të më mbani dhe të shkoj ta shoh me sytë e mi." Kështu duke u mbajtur tek nëna dhe Fatimeja, u nis për në shtëpinë e Profetit (a.s). Me të arritur dhe ta parë Profetin (a.s) tha:"Faleminderit o Zot."

Profeti (a.s) shkoi dhe e përqafoi fort. Ebu Bekri për t'a qetësuar Profetin (a.s) i tha:"Unë nuk kam gjë o i dërguar i Zotit, përveç fytyrës".

Kurse Bilalin r.a e nxjerrin në shkretëtirë, në kulmin e vapës. E shtrijnë përtokë dhe i vendosin sipër kraharorit një gur që e mbanin dhjetë burra. E rrihnin me kamzhikë dhe i thonin:"Kështu do të heqësh derisa të vdesësh."

Kurse ai nuk thoshte fjalë tjetër përveç "I vetëm, i vetëm."

Ata i thonin:"Thuaj Lat dhe Uzza!"

Kurse ai ua kthente:"Unë nuk di fjalë tjetër veç kësaj." Ata e torturonin dhe më shumë pas kësaj. Ai ua kthente:"Dua ta them, por gjuha nuk e thotë dot."

Nga muslimanët që torturoheshin, ishte dhe Zubejr ibnu Avam. Xhaxhai i tij e mbështjellte në një rogoz dhe poshtë tij ndizte zjarrin. Teksa tymi e mbulonte dhe nuk merrte dot frymë, xhaxhai i tij i thoshte:"Braktise këtë fe!" Kurse ai ia kthente:"Nuk e braktis atë kurrë." Në këtë kohë ai ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Si pasojë e kësaj, Zubejri u sëmur në mushkëri, saqë Profeti (a.s) ia lejoi të veshë dhe veshje të mëndafshta.

Sad ibnu Ebi Vekkasi, pasi pranoi Islamin, nëna e tij i thoshte:"Ose të lesh këtë fe, ose unë nuk do të ha dhe pi derisa të vdes dhe të turpërohesh, pasi vrave nënën tënde." Dhe me të vërtetë, ajo qëndroi tre ditë pa ngrënë dhe pa pirë, derisa humbi ndjenjat.

Pasi u përmend, Sad ibnu Ebi Vekkasi i tha:" O nëna ime, për Zotin, nëse do të kishe njëqind shpirtra dhe të dilnin njëri pas tjetrit me qëllim që të lë këtë rrugë, unë nuk do e lija. Prandaj si të duash, ose ha ose jo!" Kur pa këmbënguljen e tij, nëna hëngri.

Me këtë rast, Zoti zbrit ajete të reja për respektimin e prindërve:"Ne e këshilluam njeriun të sillet mirë me prindërit. Nëse të kërkojnë që të më shoqërosh shok në gjëra rreth të cilave nuk ke dije, mos iu bind dhe sillu mirë me ta në dynja." (Lukman 15)

Nga shokët që u keqtrajtuan dhe vuajtën bashkë me Profetin (a.s) ishte dhe familja e Jasirit. Sumejje bintu Hajjat, që ishte mbi gjashtëdhjetë vjeç atëherë, burri i saj Jasiri dhe djali i tyre Ammari, të tre kishin pranuar Islamin, por po keqtrajtoheshin dhe torturoheshin ç'njerëzisht nga kurejshët.

Teksa po torturoheshin, Profeti (a.s) kalon pranë tyre dhe u thotë:"Duroni o familja e Jasirit, pasi vendtakimi ynë është xheneti!' Këto fjalë i dhanë zemër Sumejjes. Ebu Xhehli nga zemërimi i madh, morri një heshtë dhe e goditi me të në vendin e nderit të saj. Nga kjo goditje, Sumejja vdiq, duke u bërë martirja e parë në Islam.

Kështu shohim që njeriu i parë që pranoi Islamin, pas Profetit (a.s) ishte grua. Ai që e forcoi dhe i dha zemër pas takimit të parë me Xhibrilin (a.s) ishte po grua. Dhe tani shehidi i parë në Islam, është po grua.

Dy ditë pasi vdiq Sumejja, vdiq dhe burri i saj Jasiri. Profeti (a.s) kaloi pranë djalit të tyre Ammarit, i cili e pyeti:"O i dërguar i Zotit, a kështu do të vazhdojë kjo punë"? Profeti (a.s) ia ktheu:"Duro o Ammar!" Më pas ngre duart nga qielli dhe lutet:" O Zot, mëshiroje familjen e Jasirit megjithëse tashmë e ke bërë këtë."

Pas dhjetë vitesh, në betejën e Bedrit, vritet Ebu Xhehli. Pas beteje, Profeti (a.s) kërkon Ammarin dhe i thotë:"Gëzohu o Ammar se Zoti e morri hakun për nënën tënde."

Nga ata që u keqtrajtuan nga kurejshët ishte dhe Habab ibnul Eret. Atij ia hiqnin rrobat dhe e shtrinin me shpinë sipër gurëve të nxehur në zjarr. Ishte mishi i trupit të tij, ai që e shuante nxehtësinë e gurëve.

Një ditë, i lodhur me fyerjet, përbuzjet, torturat dhe padrejtësitë që u bëheshin, shkoi te Profeti (a.s) dhe i tha:"O i dërguar i Zotit! A nuk e lut Zotin për ne?! A nuk i kërkon ndihmë dhe të na ndihmojë?!"

Profeti (a.s) ishte i mbështetur pas murit të Qabes dhe u drejtua. Fytyra iu skuq dhe iu drejtua me fjalët:"Për Zotin që nuk ka zot tjetër veç Tij, ata që kanë qenë para jush, ndodhte që e merrnin dikë dhe e ndanin më dysh me sharrë. Megjithatë kjo nuk e bënte të braktisë fenë. Për Zotin, Ai do e plotësojë këtë çështje, derisa të udhëtojë njeriu nga San'a në Hadramaut, pa pasur frikë nga tjetër kush përveç Zotit dhe ujkut për delet e tij. Por ju jeni popull që nxitoni."

Shohim që Profeti (a.s) nuk e ledhatoi dhe nuk u përpoq t'i japë zemër. Kjo pasi e vërteta që të triumfojë ka nevojë për burra të fortë dhe të duruar.

Pëllumbat postarë, kur u jepej letra për ta dërguar diku, flutoronin pa u ndalur, duke duruar erërat dhe shiun, derisa arrinin në destinacionin e duhur. Le të mësojmë nga një pëllumb, në mënyrën se si e mban mesazhin dhe e dërgon atje ku është urdhëruar.

Megjithë vuajtjet dhe torturat që hoqën muslimanët në këtë periudhë, fitues të kësaj beteje ishin muslimanët. Është një rregull që thotë që e vërteta dhe e mira gjithmonë do të fitojnë. Ata që fituan ishin Sumejje, Jasiri, Bilali dhe të tjerët. Kurse humbësit e vërtetë janë Ebu Xhehli me shokë. Në betejën e Bedrit, Ebu Xhehli, u vra nga dy djelmosha të rinj muslimanë.

Nëse e sheh që realiteti rreth teje është i mbushur me korrupsion, mashtrime, ryshfete etj… mos iu dorëzo një realiteti të tillë, por lufto se e vërteta patjetër që do të triumfojë. E mira dhe e keqja i ngjajnë shembullit të monedhave fallco që hidhen në treg dhe atyre të vërteta. Monedhat e fallsifikuara sado që të jenë përhapur dhe të kenë mbushur tregun, ajo që do të triumfojë është monedha e vërtetë.

Nëse hyn në provim dhe kopjon, dije se je monedhë fallco. Nëse mashtron në ndërtimin e pallateve dije se je monedhë fallco. Nëse punon në media dhe publikut i paraqet programe shthurrëse dhe larg çdo norme morali, dije se je një monedhë fallco. Këto parime duhet që fëmijëve tanë t'ua ngulisim në mendje. Thotë Zoti në Kuran:

"Ai e lëshon ujin nga qielli dhe luginat rrjedhin sipas madhësisë së tyre. Vërshimi i ujit mbart sipër shkumën që del në sipërfaqe. Kështu Zoti sjell shembullin e të vërtetës dhe të kotës. Shkuma është ajo që hidhet anash si mbeturinë, kurse ajo që u bën dobi njerëzve (uji) mbetet në tokë." (Rrad 17)

Historia gjithashtu na mëson, që ata që jetojnë vetëm për interesat e tyre vetjakë, gjithmonë kanë përfundim jo të mirë.

Jo dhunës.

Një pikë tjetër e rëndësishme dhe që ia vlen të analizohet është se megjithëse disa prej muslimanëve u vranë dhe të tjerët torturoheshin në mënyra nga më çnjerëzoret, asnjë nga muslimanët dhe shokët e Profetit (a.s) nuk përdori dhunën për t'u hakmarrë. Megjithëse si arabë të asaj kohe të gjithë ishin gjaknxehtë, asnjë prej tyre nuk theu diçka, asnjë nuk shkatërroi dhe asnjë nuk vrau për tu hakmarrë. E gjitha kjo, pasi diçka të tillë nuk e pranon mesazhi dhe rruga e Profetit (a.s). Këtë e përmend dhe një verset në Kuran i cili u shpall për të njëjtin problem:"A nuk i ke parë ata të cilëve u qe thënë të ruajnë duart (të përmbahen dhe të mos bëhen shkak për luftë) dhe të falin namazin dhe të japin zekatin." (Nisa 77)

Një herë Sad ibnu Ebi Vekkasi gjatë një zënke me një jobesimtar, e qëlloi atë dhe e gjakosi në kokë. Nga kjo ngjarje Profeti (a.s) u zemërua shumë me Sadin.

Megjithëse keqtrajtoheshin, muslimanët ishin të qetë dhe nuk revoltoheshin. Kurse kurejshët, megjithëse ata ishin torturuesit, ata jetonin kulmin e revoltimit dhe zemërimit.

E habitshme është se të gjithë personat që i keqtrajtonin muslimanët si Ebu Xhehli, Velid ibnul Mugire, As ibnu Vail, fëmijët e tyre pranuan Islamin më pas, si Halid ibnul Velid, Ikrime ibnu Ebi Xhehl, Amr ibnul As.

Megjithëse muslimanët u keqtrajtuan prej tyre, ata vazhdonin në rrugën e tyre, nuk fyen dhe nuk u hakmorrën ndaj tyre me qëllim që fëmijët e tyre të mos i pengonte kjo për të pranuar Islamin.

Në një rast kur muslimanët morën rob një prej kurejshëve Suhejl ibnu Amr, Umeri i tha Profetit (a.s):"Më lër t'ia nxjerr dhëmbët e parë o i dërguar i Zotit."

Por Profeti (a.s) ia ktheu:"Jo o Umer, se ndoshta vjen një ditë që thotë një fjalë të mirë me të cilën kënaq Zotin dhe të dërguarin e tij."

Islami i Hamzasë dhe Umerit.

Në mes të kësaj krize dhe vuajtjesh, Zoti i nderon muslimanët me Islamin e Hamzait dhe Umer ibnul Hatabit.

Gjatë kësaj kohe, Hamzai merrej vetëm me gjah. Çdo ditë merrte kalin dhe dilte në shkretëtirë për të gjuajtur. Ai nuk ishte i interesuar për asgjë tjetër përveç gjahut.

Një ditë, teksa kthehej nga gjahu, i del para një vajzë dhe i thotë:"O Hamza, si pranon të shkosh për gjah dhe nuk do t'ia dish se çfarë i ndodh djalit të vëllaut tënd?" (ishte vajzë që e mbante besimin të fshehur)

"Po çfarë ka ndodhur?" – pyeti Hamzai.

Ajo i tha:"Ebu Xhehli e ka ofenduar dhe lënduar si kurrë më parë Muhamedin, kurse ti del për gjah?!"

Hamzai morri harkun në dorë dhe u nis drejt Qabes. Kur arriti atje, i largoi njerëzit që ishin grumbulluar, derisa arriti tek Ebu Xhehli të cilit iu drejtua me fjalët:"A e fyen duke qenë unë në fenë e tij?!" dhe me harkun që kishte në dorë e goditi kokës. Më pas i tha:"Ma kthe po t'a mbajti!"

Një nga të pranishmit e pyeti:"A je bërë musliman o Hamza?"

"Nëse mundesh më kthe! – iu përgjigj Hamzai – Po, dëshmoj që ai është i dërguari i Zotit dhe nuk ka gjë që më pengon për këtë."

Ebu Xhehli u tha të pranishmëve të cilët u revoltuan:"Lëreni të qetë se i ofendova djalin e vëllait!"

Më pas Hamzai filloi të mendohet mbi ato fjalë që tha më parë, pasi i kishte thënë pa u menduar mirë. Por tani nuk bënte t'a kthente fjalën. Kështu vepron Zoti kur dëshiron t'a udhëzojë dikë. Nga emrat dhe cilësitë e Tij është dhe El-hadij (Udhëzuesi).

Atë natë nuk fjeti duke u menduar për atë që kishte thënë. Të nesërmen shkon tek Profeti (a.s) dhe i thotë:"O djali i vëllaut tim, kam rënë në një hall që nuk di si të dal prej tij, pasi e kam shumë të vështirë."

Profeti (a.s) e ftoi të pranojë Islamin. Hamzai ia ktheu:"Dëshmoj se ti thua të drejtën. Prandaj publikoje fenë tënde dhe mos kij frikë se mua me vete më ke."

Kjo ishte surpriza e parë për Profetin (a.s) dhe shokët e tij.

Surpriza e dytë është kur Umer ibnul Hattabi pranon Islamin.

Nëse Hamzai e pranoi Islamin në një çast, Umeri do të kalojë disa kontakte të ndryshme me Profetin (a.s) dhe me muslimanë të tjerë.

Kontakti i parë. Sa herë që Profeti (a.s) gjente dikë për t'i folur rreth Islamit, do befasohej nga Umeri i cili e detyronte personin të largohej. Profetit (a.s) nuk i thonte gjë, megjithëse i largonte njerëzit. Njerëzit sa e shihnin atë, largoheshin pasi e kishin frikë. Në një rast të tillë, Profeti (a.s) i tha:"O Umer, as natë dhe as ditë nuk po më lë të qetë."

Kontakti i dytë. Ai kishte një skllave që kishte pranuar Islamin. Një ditë e merr dhe fillon t'a rrahë me kamzhik deri sa u lodh.

Skllavja, kur e pa që u lodh, i tha:"A e shikon se si të lodhi Zoti, kurse mua më ka dhënë forcë? Për Zotin, unë nuk jam lodhur aspak." Umeri tregon më pas që hera e parë që fillova të ndjej diçka për Islamin, ishte kur më foli kështu skllavja ime.

Kontakti i tretë. Tregon vetë Umeri. Kam qenë larg çdo gjëje që kishte lidhje me Islamin. Çdo natë qëndroja deri në agim duke pirë me shokët e mi. Një natë shkova tek vendi ku mblidheshim, por nuk gjeta asnjë atje. Shkova dhe në pijetore, por dhe atje nuk gjeta njeri. Duke menduar se ku të shkoj, më lindi një mendim që të shkoj dhe të bëj tavaf tek Qabeja. Shkova atje dhe pashë që aty ishte Muhamedi duke u falur. U afrova pa u ndjerë dhe fillova të dëgjoj ato që lexonte. Meqë nuk ishte tjetër kush, Profeti (a.s) lexonte me zë të lartë nga sureja El-hakkah. Teksa po dëgjoja, po mendoja me vete që këto që po lexon, janë të ngjashme me vjershat. Në atë moment dëgjova që Profeti (a.s) po lexonte:

"Ata nuk janë fjalë vjershëtari, të pakët jeni ju që besoni". (El-hakka 41).

Atëherë mendova, janë fjalë të një fallxhori. Në atë çast dëgjova që Profeti (a.s) po lexonte:

"As fjalë të një fallxhori, të pakët jeni që kujtoheni" (El-hakka 42).

Atëherë pyeta veten:"Çfarë është atëherë?" dhe në çast e dëgjova të lexojë:

"Është shpallje nga Zoti i botërave" (El-hakka 43). Kur dëgjova dhe këtë mu dridh trupi dhe filloi të më bëjë përshtypje më shumë Islami.

Kontakti i katërt. Teksa po ecte një ditë, shikon një nga gratë e muslimanëve me rroba ngarkuar. I habitur e pyeti:"Për ku kështu o motër?"

Ajo ia ktheu:"Po largohem që të ruaj fenë time prej jush."

Umeri ia ktheu:"Nuk është gjë e mirë që po lini vendin tuaj." Gruaja e çuditur nga ky qëndrim i Umerit, shkoi dhe i tha të shoqit:"Umeri dukej sikur do të pranonte Islamin." Burri ia ktheu:"Kujton se do bëhet musliman Umeri?! Për Zotin nuk bëhet musliman Umeri, derisa të bëhet musliman gomari i gjyshit të tij." (d.m.th është diçka e pamundur)

Kontakti i pestë. Vazhdoi në këtë gjendje derisa filloi të dëgjojë që Muhamedi po i përçan njerëzit. Atëherë i zemëruar, vendos të shkojë dhe të vrasë Profetin (a.s). Kështu merr shpatën, e lyen me helm dhe thotë:"Unë nuk e di kush është në të vërtetë, por ai po na përçan dhe unë do i jap fund kësaj çështjeje."

Teksa del jashtë me shpatë në dorë takon një nga muslimanët që e fshihte besimin. Kur e pa Umerin me shpatë në dorë, ai e pyeti:"Ku je nisur kështu o Umer?"

"Do të shkoj të vras Muhamedin" – iu përgjigj.

I frikësuar se mos vret Profetin (a.s), i tha:"Po si kërkon të vrasësh Muhamedin dhe nuk shikon motrën tënde më parë?"

Umeri i habitur e pyet:"Pse çfarë ka bërë ajo?"

"Ka ndjekur Muhamedin" – ia ktheu.

Kur dëgjoi këto fjalë, ai u çmend. Shkoi tek shtëpia e motrës dhe troket në derë. Në këtë kohë motra e tij me burrin e saj dhe me Habab ibnul Eret, po lexonin suren Taha.

Kur motra i hap derën, Umeri e pyet:"Çfarë ishte ajo murmërimë që dëgjoja?"

"Asgjë" – iu përgjigj ajo.

"Më kanë thënë që je bërë muslimane."

"O Umer, – i përgjigjet motra – po sikur feja që kam zgjedhur të jetë më e mirë se feja jote?"

Atëherë Umeri e qëllon me pëllëmbë aq sa fillon t'i rrjedhë gjak nga buzët dhe vathi që kishte në vesh, e çan mishin dhe bie përtokë nga forca e pëllëmbës.

Burri i motrës i thotë: "O Umer, po sikur Islami të jetë më i mirë se feja jote?"

Atëherë Umeri filloi t'a qëllojë edhe atë. Motra e tij Fatimeja, duke u munduar ta largojë Umerin nga i shoqi, i bie përtokë libri që po lexonte para se të vijë Umeri. Umeri e shikon dhe i kërkon që t'ia japë.

"Ti nuk je i pastër, – i thotë e motra- shko lahu njëherë pastaj ta jap."

Shkoi dhe u la dhe e morri librin, në të cilin ndodhej sureja "Taha" dhe filloi të lexojë:

"Ta ha.

Ne nuk ta shpallëm Kur'anin që të vuash.

Por këshillë për atë që frikësohet.

Si shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.

Mëshiruesi mbi arsh u vendos.

E tij është gjithçka në qiej, tokë dhe çka mes tyre dhe nën tokë.

Nëse lutjen e kryen haptazi, Ai e di të fshehtën dhe më shumë se kjo.

Allahu është Ai që nuk ka zot tjetër veç Tij. Atij i takojnë emrat më të bukur". (Taha 1-8)

Pasi përfundoi leximin, pyeti se ku mund t'a gjente Muhamedin, sepse dëshironte të pranonte Islamin.

Hababi i fshehur brenda në shtëpi i tha:"Është në shtëpinë e Erkam ibnul Erkam."

Kur vajti tek shtëpia e Erkamit, trokiti në derë. Brenda në shtëpi ndodheshin dyzet burra dhe gra që mësonin me Profetin (a.s). Kur dëgjoi trokitjen, Bilali pyeti:"Kush është?" "Umer ibnul Hattabi" u përgjigj ai.

Të gjithë brenda filluan të dridhen dhe u frikësuan. Por Hamzai u foli:"Çfarë keni kështu? Bëhuni të forte! Nëse ka ardhur për mire, është i mirëseardhur. Nëse kërkon të keqen, këtu më ka." Pastaj urdhëroi Bilalin të hapë derën. Kur hyri Umeri brenda, Hamzai nga pas e kapi për duarsh dhe e pyeti:"Ç'të ka sjellë këtu?"

Kurse Profeti (a.s) i thirri dhe i tha:"Afrohu o Umer." Shkon tek Profeti (a.s) i cili e shkund për rrobash dhe i thotë: "A nuk ka ardhur koha të pranosh Islamin o i biri i Hattabit?"

Me këtë mënyrë të foluri, Profeti (a.s) bëri dy gjëra: E para u dha zemër të pranishmëve të cilët u frikësuan nga Umeri dhe e dyta, një si Umeri nuk njihte veçse sjellje të tillë.

Atëherë Umeri thotë: "Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij."

Në ato çaste shtëpia ku ndodheshin, gjëmoi nga thirrjet: "Allahu Ekber".

Më pas Umeri e pyet Profetin (a.s): "O i dërguar i Allahut, a nuk jemi në rrugë të drejtë?"

"Po, o Umer" – iu përgjigj Profeti ((a.s).).

"A nuk janë ata në rrugë të gabuar?"

"Po, o Umer" – iu përgjigj Profeti (a.s).

"Atëherë, përse duhet të fshihemi?" – pyeti Umeri.

"Ç'mendim ke ti, o Umer?"-i thotë Profeti (a.s).

"Unë them që të dalim tani dhe të thërrasim se Zoti është më i madhi dhe se nuk ka zot tjetër veç Tij".

Atëherë Profeti (a.s) i thotë: "Ti je Faruku (ndarës) me ty Zoti e ndan të vërtetën nga e gabuara".

Dalin muslimanët nga shtëpia e Erkamit të rreshtuar në dy rreshta, në krye të njërit Umeri dhe në krye të tjetrit qëndronte Hamzai. Kurse Profeti (a.s) në mes dhe të gjithë thërrisnin "Allahu ekber".

Kjo ishte dita e parë në të cilën pranoi Umeri Islamin.

Tregon Umeri: "Megjithëse dolëm duke thërritur në rrugët e Mekës, shumë njerëz nuk e dinin që unë isha bërë musliman, kështu që vendosa t'i njoftoj të gjithë për këtë. Shkova tek shtëpia e Ebu Xhehlit dhe trokita. Derën e hapi vetë Ebu Xhehli, të cilit i thashë: "A nuk e ke marrë vesh o Ebu Xhehl?"

"Ç'farë?" – më tha.

"Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij."

Ai u përgjigj:"A çfarë dite ters o Umer" dhe e mbylli derën duke mërmëritur.

Të njëjtën gjë bëra dhe me Ebu Sufjanin.

Megjithatë nuk ndjeja të ngopur, dëshiroja që gjithë bota ta merrte vesh që unë isha musliman. Pyeta se cili është ai person që çdo fjalë që dëgjon nuk lë njeri pa i treguar dhe me thanë që është Xhemil bin Muamir. Shkova dhe i thashë: "Dëgjo o Xhemil, do të të tregoj një sekret, por mos i thuaj kujt!"

"Mirë" –më tha.

"Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij".


Nuk priti sa të përfundoj fjalën, por filloi të vrapojë në rrugët e Mekës, duke bërtitur: "O kurejshë, Umeri ka pranuar Islamin…"

E dija që njerëzit do të grumbulloheshin tek Qabja, prandaj nxitova për atje. Kur arrita, filluan të më godasin dhe t'i godas dhe kjo vazhdoi derisa më lanë forcat. Kur pashë se nuk po më ndaheshin kapa njërin prej tyre, e shtriva përtokë, ia vura gishtat tek dy sytë dhe u thashë: "O më lini të qetë, o do ia nxjerr sytë!" dhe atëherë më lanë.

U ktheva në shtëpi të ç'lodhem por nuk mund të flija derisa i mblodha fëmijët dhe u thashë: "Nuk do u flas dhe nuk do më flisni deri sa të dëshmoni se "nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij."

Djali i tij i vogël Abdullahu, i thotë: "O baba, unë jam musliman që prej një viti, por e kam mbajtur të fshehur prej teje."

Atëherë Umeri e kapi dhe filloi ta godasë duke i thënë: "Si e ke mbajtur të fshehur dhe më ke lënë mua në humbje deri tani? Po sikur të kisha vdekur jomusliman?"

Tregon Abdullahi: "Sa herë që e kujtonte pas disa vitesh, më godiste dhe më thoshte: "Si do e lije babanë në humbje, o bir?"

E gjitha sa përmendëm, ndodhi në ditën e parë të Islamit të Umerit.

Thotë Hasan Elbasrij:" Do të vijë Islami ditën e Kiametit dhe duke kaluar para muslimanëve do të ndalojë tek secili duke thënë:"O Zot, ky më përkrahu, kurse ky më zhgënjeu – vallë çfarë do të thotë për ne ?- derisa të arrijë tek Umeri. Do shkojë do e marrë për krahu dhe do të thotë:"O Zot, isha i panjohur derisa u bë musliman ky burrrë."

Thotë Abdullah ibnu Abbasi:"Vazhduam të jemi të përbuzur, derisa pranoi Islamin Umeri dhe nuk mund të faleshim me zë në Qabe, derisa pranoi Islamin Umeri."

Tregon Profeti (a.s):"Kam parë një ëndër, që ditën e Kiametit njerëzit do të vijnë të veshur me këmisha. Secili do të ketë veshur këmishë sipas besimit. Disa do e kenë këmishën deri tek kraharori. Disa të tjerë deri tek qafa. E pashë Umerin që teksa vinte, e tërhiqte zvarrë këmishën e tij."

Dikush e pyeti:"Me çfarë e interpreton këmishën o i dërguar i Zotit?"

Ai i tha:"Këmisha është Islami."

Mësimet e nxjerra nga sa u përmend.

1 – E vërteta do të triumfojë.

2 – Mos jeto vetëm për interesat e tua, si Ebu Lehebi.

3 – Sakrifiko për mesazhin.

4 – Kemi nevojë për gra që u japin zemër burrave, si Fatime bintul Hattab.

5 – Kushdo që është i fuqishëm dhe ka ndikim, Islami ka nevojë për ju, ashtu siç kishte për Umerin.

6 – Të varfërit mos thonë që ne nuk kemi mundësi, por shihni Bilalin.

7 – Mrekullitë nuk do të vijnë vetëm se pasi të punojmë dhe të lodhemi

Sabri Selman


Lexuar: 1130 | Shtuar nga: studio-islam | Data: 23-July-2010
Shkruani një Koment
1 Clieehet  
0
Can you! prefer something super new? Open and look at this offer. Only there the choice of slaves for every taste and completely free! They are hardcore slaves, they will and want perform anything you order !
http://gov.shortcm.li/kings1#C3

Name *:
Email *:
Code *:
Gjithsej Komente: 1
Copyright © 2010 |