E shtata- Shefati (Ndërmjetësimi).
Kur të shtohen sprovat mbi njerëzit, në vendqëndrimin e madh dhe zgjatë pritja e tyre, nxitojnë që të ndërmjetësojë dikush për ta te Zoti i tyre, për t’i shpëtuar ata prej mundimeve e tmerrit. Të Dërguarit e vendosur (Ulul Azmi), nuk munden të ndërmjetësojnë, deri kur vie rradha e të Dërguarit tonë Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që Allahu ja fali gabimet e shkuara dhe të ardhmet.
Ai ngritet në një shkallë, ashtuqë e lavdërojnë të hershmit e të vonshmit (gjithë njerëzimi), e shfaqen pozita dhe grada e tij e lartë. Bën sexhde nën Arsh, e Allahu e frymëzon me falenderime dhe lavdata që t’i drejtohet Atij, kërkon leje prej Zotit të tij dhe Ai ia lejon që të ndërmjetësojë për krijesat, që të fillojë gjykimi, pas brengave e tmerrit të papërshkrueshëm që i kaploi.
Thotë i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Dielli do të nxejë në Ditën e Kijametit, derisa djersët të arrijnë në gjysmë të veshëve, e duke qenë në këtë gjendje (njerëzit) kërkojnë ndihmë nga Ademi e mandej nga Ibrahimi, Musa, Isa, e mandej nga Muhammedi, e ndërmjetëson që të fillojë gjykimi i njerëzve, … ” (Buhariu).
Për këtë ndërmjetësim të madh Allahu xhel-le shanuhu e ka veçuar Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ai gjithashtu do të bëjë edhe ndërmjetësime tjera alejhis salatu ves-selam:
1.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për banorët e Xhennetit që të ju lejohet hyrja në Xhennet. Thotë i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Do të shkoj të dera e Xhennetit e do të kërkoj që ta hapin, do të thotë roja: Kush je ti? E do të them: Muhammedi. Do të më thotë: Jam i urdhëruar që të mos ja hap derën askujt përpos teje” (Muslimi).
2.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për njerëzit të cilëve ju barazohen veprat e mira dhe të këqia, e ndërmjetëson për ta që të hyjnë në Xhennet. Mirëpo kjo është vetëm mendim i disa dijetarëve sepse nuk argumentohet me ndonjë hadith të vërtetë të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e as të tjetërkujt.
3.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për ata (myslimanë) që e kanë merituar Xhehennemin, që të mos hyjnë në të. Argumenti i kësaj është hadithi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Ndërmjetësimi im (do të jetë) për ata që kanë bërë mëkate të mëdha prej ummetit tim” (Ebu Davud).
4.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për ngritjen e gradëve të banorëve të Xhennetit. Argument është fjala e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "O Allahu im, fale Ebu Selemen dhe ngrite gradën e tij në mes të të udhëzuarve” (Muslimi).
5.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për njerëzit që hyjnë në Xhennet pa dhënë llogari e pa mundime. Argument për këtë është hadithi i Ukashete ibën Muhsin që flet për 50 mijë personat që do të hyjnë në Xhennet pa dhënë llogari dhe pa mundime, e Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u lut për të (Ukashen) duke thënë: "O Allahu im, bëre prej tyre”(Buhariu dhe Muslimi).
6.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për ata që kanë bërë mëkate të mëdha e kanë hyrë në Xhehennem, për t’i nxjerrë ata prej tij. Argument është fjala e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Ndërmjetësimi im (do të jetë) për ata që kanë bërë mëkate të mëdha prej ummetit tim” (Ebu Davud). Gjithashtu thotë: "Do të del një popull prej Zjarrit me ndërmjetësimin e Muhammedit, do të hynë në Xhennet e do të quhen Xhehennemij (Vazhdimi i këtij hadithi argumenton se po me ndërmjetësimin e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, do t’ju hiqet ky emërtim si dhe çdo shenjë që i bën ata të dallohen se dikur kanë qenë në Zjarr. E ky lloj i njerëzve janë myslimanët që kanë bërë mëkate të mëdha e që i paguajnë me qëndrimin e tyre në Xhehennem.)”(Buhariu).
7.Ndërmjetësimi i tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për zbutjen e dënimit për ata që e meritojnë, siç është ndërmjetësimi i tij për axhën e tij Ebu Talibin. Thotë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Ndoshta do t’i bëj dobi ndërmjetësimi im në Ditën e Kijametit e do të vendoset në dallga zjarri që ja kaplojnë nyjet e këmbëve e i vlon maja e kokës (Ky është dënimi me i lehtë i Xhehennemit.)” (Buhariu dhe Muslimi).
Nuk vlen ndërmjetësimi tek Allahu xhel-le xhelaluhu veçse nëse i plotëson dy kushte:
A.Kënaqësia e Allahut për ndërmjetsuesin dhe të ndërmjetsuarin.
B.Leja e Allahut të Madhëruar për ndërmjetsuesin që të ndërmjetsojë. Thotë Allahu xhel-le xhelaluhu:
"dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai,..."(El-Enbija-28)
"Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij,"...(El-Bekare-255) |