Sot është - E Premte | Data: 19-April-2024 | Ora: 15:20
NDRYSHO DIZAJNIN
**.... Guest ....** ...ES-SELAM ALEJKUM WE RAHMETULLAHI WE BEREKATUHU XHEMAT I NDERUAR ALLAHU JU SHPERBLEFTE PER VIZITEN E JUAJ INSH-ALLAH .... **
Dosja e Ramazanit

Artikuj per Ramazan

Video Ligjerata

Audio Ligjerata

Dua per Iftare

Dua te perditshme

Menya
Kategorite
Artikuj [24]
Radio-Elkalem24/24
Bisedojm se bashku
mesohu edhe ti

Abdesi
Mesohu te marresh abdes

Namazi
mesohu te falesh Namaz

Allahu ju meshirofte
Shiko live

Shiko Meken live 24 ore


Shiko Medinen live 24 ore

Shikim te kendeshem
Sondazhi yne
web faqe islame
 
 
 
 
statistika

Ramazani dhe xheneti

Falënderimi i takon Allahut. Salavatet e selamet qofshin për të Dërguarin e fundit, Muhamedin.


Dikush mund të pyesë: Përse biseda rreth xhenetit bëhet pikërisht në këtë muaj? Për faktin se në qiell, kur vjen muaji i Ramazanit, ndodh një ngjarje e madhe, e ajo është hapja e dyerve të xhenetit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen djajtë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.


Këto fakte argumentojnë për madhështinë, vlerën dhe pozitën e lartë që ka ky muaj tek Allahu i Lartësuar. Nga kjo pikënisje dëshiroj t’ia kujtoj xhenetin atij që e arrin përjetimin e këtij muaji, t’ia kujtoj begatinë e tij si dhe veprat që e ndihmojnë dhe ia lehtësojnë muslimanit hyrjen në të.


Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, duke transmetuar fjalët e Kadi Ijadit thotë: "Është e mundshme që hapja e dyerve të xhenetit nënkupton se Allahu në këtë muaj i bekon robërit e Tij me disa adhurime të cilat nuk bëhen në muajt e tjerë, si agjërimi, falja e namazit të teravive e të tjera. E, këto pa dyshim se konsiderohen shkaqe për hyrjen në xhenet.


Këtë tematikë, me ndihmën e Allahut, do ta trajtoj nga dy këndvështrime:

1)- Karakteristikat motivuese për hyrjen në xhenet.
2)- Veprat të cilat janë përcaktuar nga ana e fesë si ndihmë dhe lehtësim për hyrjen e muslimanit në xhenet.


Pa dyshim se Ramazani është rast i mirë për vepra të mira, ngase zemra është e gatshme t’u nënshtrohet urdhrave të Allahut, ashtu siç është edhe shpërblimi i shumëfishuar. Në hadithin e lartpërmendur aludohet për këtë domethënie, pra për shpërblimin dhe për faljen e madhe.
O ti kërkues i së mirës, dyert e xhenetit janë të hapura!
O ti kërkues i së keqes, dyert e xhehenemit janë të mbyllura!


Pikënisjet për në xhenet

1- Allahu e obligoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, që t’i përgëzojë me xhenet ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me kopshte të xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.” (Bekare, 25)

2- Shokët e të Dërguarit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, gjithmonë e pyesnin atë për veprat të cilat janë shkak për t’u futur në xhenet. Kjo pa dyshim se është argument për kujdesin dhe interesimin e tyre për xhenetin si dhe për veprat të cilat i afrojnë pranë tij.
3- Hyrja në xhenet konsiderohet fitorja reale. Allahu i Lartësuar thotë: "Kushdo që shpëton nga zjarri i xhehenemit dhe hyn në xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).” (Ali Imran, 185)

4- Respektimi dhe bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndaj të Dërguarit të Tij janë prej shkaqeve më të rëndësishme për hyrjen në xhenet. Allahu thotë: "Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai e shpie në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe.” (Nisa, 13)

5- Vendi sa zë një kamxhik në xhenet është më i mirë sesa kjo botë dhe çfarë ka në të.

6- Begatia e xhenetit e tejkalon imagjinatën e as nuk mund të përshkruhet, siç thotë Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij: "Për robërit e Mi të mirë kam përgatitur atë që syri nuk e ka parë asnjëherë, as veshi nuk ka dëgjuar për të e as që i ka shkuar ndër mend kurrë.” Shënon Buhariu.


Prandaj, eja të flasim së bashku për xhenetin dhe begatitë e tij në këtë muaj. Eja të njihemi me punët të cilat na ndihmojnë të hyjmë në xhenet, të jetojmë në të me shpirtrat tanë, edhe pse jemi ende në këtë botë. Le të kemi mall për të në zemrat tona para se të na fusë Allahu i Lartësuar në të, inshallah. Allahu Fuqiplotë thotë: "Dhe një zë do t’i thërrasë: "Ky është xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar.” (A'raf, 43)


O Allah, ne të kërkojmë xhenetin!


Pesëmbëdhjetë karakteristika motivuese për të hyrë në xhenet

1- Allahu na ka premtuar se do të na fusë në xhenet. Ai thotë: "Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të xhenetit.” (Tevbe, 111)

2- Qëndrim i përhershëm në xhenet. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit, ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim.” (Kehf, 107-108)

3- Toka e xhenetit është prej miskut. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Hyra në xhenet… toka e xhenetit ishte prej misku.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

4- Lumenjtë e tij janë të shumëllojshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ja përshkrimi i xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash.” (Muhamed, 15)

5- Burimet e tij janë të shumta. Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime.” (Dharijat, 15)

6- Pallatet e tij janë të mrekullueshme. Allahu i Lartësuar thotë: "...si dhe pallate të mrekullueshme në xhenetin e Adnit.” (Tevbe, 72)

7- Numri i dyerve të tij është tetë dhe ato janë të gjera. Allahu i Lartësuar thotë: "...në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta.” (Sad, 50)

8- Pemët e tij janë më të ëmblat dhe më të këndshmet. Allahu i Lartësuar thotë: "Aty do të prehen e do të kënaqen me pemë dhe pije të llojllojshme.” (Sad, 51) Gjithashtu thotë: "Punëdrejtët do të jenë mes hijesh e burimesh si dhe frutash nga ato që dëshirojnë.” (Murselat, 41-42)

9- Ushqimi i tij është i zgjedhur. Allahu i Lartësuar thotë: "Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.” (Zuhruf, 71)

10- Verërat e tij janë të mira, të këndshme, të shijshme; ata që e pinë, as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen. Allahu i Lartësuar thotë: "Aty do t’u shërbehet një gotë e mbushur nga një burim i rrjedhshëm, (me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë. Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen.” (Safat, 45)

11- Rrobat e tij janë të shtrenjta. Allahu i Lartësuar thotë: "...dhe do të vishen me rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë dhe armaçi, duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë. Sa shpërblim i mrekullueshëm dhe sa vendbanim i bukur!” (Kehf, 31)

12- Shtretërit e tij janë të shtrirë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata (banorët e devotshëm që do të hyjnë në këto kopshte) do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi.” (Rahman, 54)

13- Bashkëshortet e banorëve të xhenetit (hyritë). Allahu i Lartësuar thotë: "Po, kështu do të jetë dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.” (Duhan, 54)

14- Kënaqësia e madhe, shikimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Atë ditë disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.” (Kijame, 22-23)

15- Është i përgatitur për të devotshmit. Allahu i Lartësuar thotë: "Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” (Ali Imran, 133)


Çfarë karakteristikash, të cilat zemrave u shtojnë gëzim, kënaqësi dhe mall!

Njëzet shkaqe që ndihmojnë për të hyrë në xhenet

Ekzistojnë vepra të mira të cilat, me vullnetin e Allahut, të ndihmojnë për të hyrë në xhenet. Mirëpo, para se të fillojmë t’i përmendim disa prej këtyre veprave, është e domosdoshme të dihet se në xhenet nuk do të hyjë kush tjetër përveç besimtarit. Prandaj, imani (besimi) është kusht thelbësor për hyrjen në të. Allahu i Lartësuar thotë: "Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Bekare, 82)


Ndërsa disa nga veprat ndihmuese për hyrjen në xhenet janë:

1- Devotshmëria, e cila pa dyshim konsiderohet si dobi shpresëdhënëse nga agjërimi i Ramazanit. Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet të devotshmit do të jenë në kopshtet e xhenetit pranë burimeve.” (Hixhr, 45). Gjithashtu, Ai thotë: "Ky është xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.” (Merjem, 63). Kurse devotshmëria është që të vësh në mes teje dhe Allahut një mburojë ndaj mëkateve, duke respektuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij.


2- Qëndrueshmëria dhe vendosmëria haptazi dhe fshehurazi deri në vdekje. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, atyre që thonë: " Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: "Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni xhenetit që ju është premtuar.” (Fusilet, 30). Ndërsa në hadith qëndron: "Thuaj: "Besova në Allahun” e pastaj përqendrohu në të (në atë që aludon kjo fjalë).” Shënon Muslimi. Qëndrueshmëria dhe përqendrimi do të thotë vazhdimësi në respektimin e Allahut deri në vdekje.


3- Marrja e të Dërguarit si shembull dhe model jete. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shkojë në xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, do të ndëshkohet me dënim të dhembshëm.” (Fet’h, 17). Ndërsa i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "I gjithë umeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij që refuzon.” Thanë: "Kush është ai që refuzon?” Tha: "Kush më bindet mua, do të hyjë në xhenet, ndërsa kush më kundërshton, ka refuzuar.” Shënon Buhariu.


Marrja shembull e të Dërguarit të Allahut nënkupton ndërtimin e sjelljes së muslimanit si dhe të të gjitha akteve të tij, qofshin ato fjalë ose vepra, në pajtim me atë që ka sjellë i Dërguari nga ana e Zotit të tij, duke e pasuar atë si dhe duke i pranuar prej tij këto veprime për shkak se ai konsiderohet i Dërguar i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm.” (Ahzab, 21)


4- Pendimi i sinqertë tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "...përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie.” (Merjem, 60). Kurse me pendim nënkuptohet largimi nga të gjitha mëkatet e gabimet, pendim për çdo mëkat të kaluar si dhe vendosmëri për të mos iu kthyer atij mëkati në të ardhmen.


5- Kërkimi i diturisë për hir të Allahut si dhe për hir të kënaqësisë së Tij. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "…kush trason rrugën për të kërkuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet.” Shënon Muslimi.

Kërkimi i diturisë në muajin e Ramazanit mund të manifestohet përmes shumë formash:

a)- të mësuarit e dispozitave të agjërimit;
b)- njohja me gjendjen e të parëve tanë në Ramazan;
c)- komentimi i ajeteve të agjërimit si dhe kuptimi i domethënieve të tyre;
ç)- njohja me ngjarjet historike që kanë ndodhur në këtë muaj.


6- Mirësjellja me njerëzit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Ajo që më së shumti i fut njerëzit në xhenet është devotshmëria dhe sjellja e mirë…”

"Morali i tij (Muhamedit alejhi selam) ishte Kurani.” Shënon Muslimi.
Kurse me moral të mirë nënkuptohet stolisja me mirësi dhe largimi nga shthurja.


7- Shqiptimi i dëshmisë pas abdestit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Kush merr abdest në mënyrë të përpiktë e pastaj thotë: "Dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut, të Vetmit, i Cili nuk ka shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”, i hapen tetë dyert e xhenetit dhe hyn nga cila derë të dëshirojë.” Shënon Muslimi.


8- Shkuarja në xhami për kryerjen e pesë namazeve apo të adhurimeve të tjera. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Kush shkon në xhami apo kthehet nga xhamia, Allahu ia përgatit një vend në xhenet sa herë që shkon apo vjen.” Shënon Muslimi.


9- Vizita e të sëmurit apo e vëllait në fe për hir të Allahut. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Kush viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla të tij për hir të Allahut, thërret një thirrës: "Të lumtë dhe lum ti për ecjen tënde! Ke përgatitur në xhenet një shtëpi.” Shënon Tirmidhiu.


10- Përsëritja e ezanit me sinqeritet për hir të Allahut. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "Nëse muezini thotë: "Allahu Ekber, Allahu Ekber”, e dikush nga ju thotë: "Allahu Ekber, Allahu Ekber”…(pastaj ka përmendur ezanin)…, pastaj (muezini) thotë: "Hajje ales- salah”, e dikush nga ju thotë: "La haule ue la kuuete il-la bil-lah”, pastaj (muezini) thotë: "Hajje alel felah”, e dikush nga ju thotë: "La haule ue la kuuete il-la bil-lah”… e pastaj (muezini) thotë: "La ilahe il-la Allah”, e përcjellësi thotë: "La ilahe il- la Allah” me zemër të sinqertë, do të hyjë në xhenet.” Shënon Muslimi.


11- Falja e dy rekateve pas abdestit. Ukbete b. Amiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Kush merr abdest në mënyrë të përpiktë dhe pastaj i fal dy rekate i përqendruar me zemrën dhe fytyrën e tij (gjatë namazit), atij i obligohet xheneti.” Shënon Muslimi.


12- Kryerja e nafileve të shumta. Rebia b. Es’habi, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen duke thënë: "I shërbeja dhe i sillja ujë të Dërguarit, kurse ai më tha: "Më kërko”. Thashë: "Të kërkoj shoqërimin tënd në xhenet!” Ai tha: "Më ndihmo duke bërë shumë sexhde.” Shënon Muslimi.


13- Kujdesi ndaj jetimit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Unë dhe kujdestari i jetimit jemi në xhenet kështu”, dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe gishtin e mesëm.” Shënon Buhariu.


14- Përhapja e selamit, ushqimi i të tjerëve si dhe falja e namazit natën. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: "O ju njerëz, përhapeni selamin (përshëndetjen), jepni ushqim, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në xhenet me selam (paqe).” Shënon Ibn Maxheh.


15- Leximi i Ajetul Kursisë pas çdo namazi farz (obligativ). I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Kush lexon ajetin kursij pas çdo namazi të detyruar, e pengon atë nga hyrja në xhenet veçse vdekja.” Shënon Nesaiu.


16- Zotëria i istigfarit (lutja më e mirë e kërkimit të faljes). "O Allahu im! Vetëm Ti je Zoti im, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Më krijove dhe unë jam robi Yt...” Shënon Buhariu nga Shedad b. Evsi e pastaj ka thënë: "Kush e thotë ditën duke qenë i bindur në të dhe vdes atë ditë ende pa u ngrysur, ai do të jetë prej banorëve të xhenetit. Ndërsa kush e thotë natën dhe është i bindur në të si dhe vdes pa u gdhirë, ai po ashtu do të jetë prej banorëve të xhenetit.”


17- Kujdesi për abdestin. Që nënkupton vazhdimësinë e pastrimit pas çdo ndyrësire. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i ka thënë Bilalit: "O Bilal, më trego cila punë që ke bërë në Islam të jep më shumë shpresë? Vërtet unë e kam dëgjuar zhurmën e nallaneve të tua para meje në xhenet.” Bilali u përgjigj: "Puna që kam bërë dhe prej së cilës shpresoj fitimin më të madh është ajo që asnjëherë ditën apo natën, kur kam marrë abdest, me atë abdest të mos kem falur atë që më është urdhëruar të fal.” Buhariu dhe Muslimi.


18- Largimi i pengesave nga rruga e muslimanëve. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Kam parë një burrë në xhenet që ka hyrë në të për shkak të një peme të cilën e ka hequr nga rruga, pemë e cila i pengonte njerëzit.” Shënon Muslimi.


19- Fjala e mirë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Në xhenet ka një dhomë, pjesa e jashtme e së cilës shihet nga brenda, kurse brendësia e saj shihet nga jashtë.” Ebu Malik El Esh’arij tha: "Për kë është ajo, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: "Për atë që flet mirë, që i ushqen të varfrit si dhe për atë që falet kur njerëzit flenë.” Shënon Taberani dhe Hakimi.


20- Nëse një sërë veprash të mira bashkohen te muslimani gjatë ditës, ai do të hyjë në xhenet:

a) agjërimi;
b) përcjellja e xhenazes;
c) vizita e të sëmurit;
d) të ushqyerit e të varfrit.


Argument lidhur me këtë kemi hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: -Kush prej jush u zgjua sot agjërueshëm?
Ebu Bekri tha:-Unë.
-Kush prej jush përcolli sot ndonjë xhenaze?
Ebu Bekri tha: -Unë.
-Kush ushqeu sot ndonjë të varfër?
Ebu Bekri tha: -Unë.
-Kush vizitoi sot ndonjë të sëmurë?
Ebu Bekri tha: -Unë.
Atëherë i Dërguari tha: -Nuk bashkohen te ndonjëri këto cilësi e të mos hyjë në xhenet. Shënon Muslimi.


Këto ishin njëzet forma të cilat e ndihmojnë muslimanin që ta fitojë xhenetin me dëshirën e Allahut. Muslimani gjatë këtij muaji ka mundësi t’i aplikojë këto forma në mënyrë që të jenë ndihmë për të. Kurse ne xhenetin në këtë muaj e kemi përmendur vetëm për shkak të dëshirës së madhe të zemrave tona për të. Rikujtimi i begative të tij pa dyshim se është një motivim për të punuar vepra të mira, veçanërisht kur ne e përjetojmë këtë muaj të vlefshëm.


I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: "Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e xhenetit.” Shënon Buhariu.

Përktheu: Almedin Ejupi



Lexuar: 1750 | Shtuar nga: studio-islam | Data: 26-July-2011
Shkruani një Koment
Name *:
Email *:
Code *:
Gjithsej Komente: 0
Copyright © 2010 |