Sot është - E Premte | Data: 19-April-2024 | Ora: 09:30
NDRYSHO DIZAJNIN
**.... Guest ....** ...ES-SELAM ALEJKUM WE RAHMETULLAHI WE BEREKATUHU XHEMAT I NDERUAR ALLAHU JU SHPERBLEFTE PER VIZITEN E JUAJ INSH-ALLAH .... **
Dosja e Ramazanit

Artikuj per Ramazan

Video Ligjerata

Audio Ligjerata

Dua per Iftare

Dua te perditshme

Menya
Kategorite
Radio-Elkalem24/24
Bisedojm se bashku
mesohu edhe ti

Abdesi
Mesohu te marresh abdes

Namazi
mesohu te falesh Namaz

Allahu ju meshirofte
Shiko live

Shiko Meken live 24 ore


Shiko Medinen live 24 ore

Shikim te kendeshem
Sondazhi yne
web faqe islame
 
 
 
 
statistika

Mbi zekatin dhe sadakanë


 
Mbi zekatin dhe sadakanë
 
 
Në gjithë këtë libër fjalët sadaka janë përdorur në mënyrë të ndërthurur, gjë që mund të ngatërrojë disi lexuesit. Arsyeja për një gjë të tillë është e qartë: nëse fjalët sadaka dhe zekat janë të njëjta, atëherë përse të mos përqëndrohemi te njëra prej tyre.
 

Nga ana tjetër, nëse këto dy fjalë ndryshojnë në kuptim, atëherë përse të mos përdorim sipas tekstit përdorimet e tyre të sakta?

Për këtë arsye është shpjegimi i mëposhtëm.
 

Nga ana gjuhësore fjala sadaka rrjedh nga rrënja "sidk” ose "sadk” që do të thotë "të flasësh të vërtetën”, "të jesh i sinqertë”.

Gjithashtu, mund të përkthehet "çiltërsi” apo "efikasitet”. Përdorimi leksikor kuranor e ka shndërruar këtë rrënjë foljore në "sadaka”, një term i përdorur për konceptin e dhuratës së ofruar dikujt nga ai që e zotëronte me të drejtë, pa rezerva ose pendim dhe pa arsye të tjera, e thënë shkurt për kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.
 

Për këtë arsye ajo përmban katër elemente thelbësore: ligjshmërinë e pronës së dikujt, sinqeritetin e qëllimit, arsyet altruiste dhe kushtin që të jetë vetëm për hir të Zotit.

Në pamje të parë sinqeriteti i qëllimit, altruizmi dhe kërkimi i kënaqësisë së Zotit mund të shkaktojë një rast teprimi, megjithatë të tre elementët janë të varur nga njëri-tjetri. Për shembull, dikush mund të jetë i sinqertë kur ndihmon të tjerët dhe gjithashtu mund të jetë i motivuar nga altruizmi.
 

Megjithatë, këto dy elemente nuk mund t’i japin karakterin e sadakasë këtij veprimi sepse mungon njëri prej tyre, që është qëllimi vetëm për hir të Zotit. Ndodh kështu pasi sadakaja nuk është një koncept i veçantë për Islamin.

Megjithëse është e futur në eskatologjinë e Islamit, e cila në mënyrë paradoksale përfshin dhe interesat e kësaj bote. Jo rastësisht Kurani i referohet dhënies së sadakasë si një përbërës kryesor në programin e tij për njerëzimin. Shokët e Muhamedit (a.s.), gjatë dhënies së besës për besnikëri, i premtonin atij se, ndër të tjera do të shpenzonin në rrugë të Allahut si në bollëk, po ashtu edhe në varfëri.

 
Hadithi i Ubade ibën Samitit ka të bëjë me këtë çështje. Ai tregon: "I Dërguari i Zotit merrte premtimin tonë për besnikëri dhe ne zotoheshim se do të qëndronim me të në çdo rrethanë, do të shpenzonim në rrugë të Allahut në pasuri dhe në varfëri, do të urdhëronim për punë të mira, do të ndalonim të tjerët nga punët e këqija dhe do të thonim të vërtetën për Allahun, pavarësisht nga pasojat”.

Një pyetje me vlerë që bëhet është se: Përse sadakaja u bë pjesë e premtimit?
 

Premtimi për të dhënë sadaka, megjithëse i vullnetshëm, ishtë një pjesë thelbësore e besës, pasi pa një përgjegjësi të tillë shoqëria e re nuk do të mund të kishte mbijetuar as në provën e saj të parë. Sadakaja simbolizon një solidaritet kuptimplotë dhe vëllazërinë midis pjesëtarëve të umetit musliman.

Ata sigurojnë një rrjet të sigurt për fillestarët që e kanë tjetërsuar veten nga shoqëria jobesimtare dhe si rrjedhim përballen me vështirësi ekonomike. Kufizimi i sadakasë në një sasi të caktuar do të kishte dëmtuar konceptin bazë duke dhunuar karakterin e saj vullnetar.
 

Në të njëjtën kohë do t’i kishte mohuar shoqërisë burimet e mëdha që ajo siguron për nevojat e saj nëpërmjet sadakasë. Si përfundim, ky kufizim do të kishte vonuar rritjen shpirtërore dhe morale të pjesëtarëve të kësaj shoqërie, të cilën ia premtonte Islami. Është tipik për shpirtin e Islamit, i cili mori mbi vete të rindërtojë një shoqëri të re, ku të varfërit nuk përjashtohen apo injorohen dhe ku njerëzit ndihen të lidhur ngushtë ndërmjet tyre si rrjedhojë e kujdesit reciprok.

Ky lloj rindërtimi i shoqërisë buron nga koncepti islam që Zoti është Mëshirues dhe është Ai, i Cili, siç thuhet dhe në fjalët domethënëse të Kuranit, ka marrë përsipër t’i mëshirojë besimtarët. Për këtë virtyti hyjnor duhet të reflektohej në karakterin e besimtarëve. Sadakaja nuk siguroi vetëm një pastrim për ndjenjën individuale të fajit ndaj të shtypurve, por ajo gjithashtu i dha një ndjenjë arritjeje dhënësit të sadakasë si pjesëtar në përpjekje të përbashkëta për një fillim të ri.
 

Për këtë sadakaja duhet të shkonte përtej kuptimit të bamirësisë. Megjithëse dhënia e parave ishte shfaqja e saj më e fuqishme, sadakaja nuk qëndroi e kufizuar në natyrën materiale; ajo u zgjerua duke u bërë stil jetese dhe një model i ri.

Kjo është arsyeja që sipas një hadithi, sadaka mund të jetë gjithçka. Përmasa, sasia dhe forma janë të parëndësishme. Një buzëqeshje e besimtarit në sytë e një besimtari tjetër, heqja e pengesave nga rruga është aq me vlerë, sa mund të jetë një dhurim i madh parash.
 

Në një hadith të njohur, të transmetuar nga Ebu Musa El-Eshari thuhet se i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.), ka thënë se çdo musliman duhet të japë sadaka. Kur e pyetën se si mund të vepronte dikush që nuk dispononte asgjë, ai u përgjigj se ai duhet të punojë në mënyrë që të fitojë të mira materiale për veten e tij dhe në këtë mënyrë të japë edhe sadaka.

Kur e pyetën se çfarë do të ndodhte me dikë që nuk ka mundësi ose nuk e bën këtë, Profeti (a.s.) është përgjigjur duke thënë se ai duhet të ndihmonte dikë që është në nevojë. Kur është pyetur se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën këtë, ai ka thënë se ai person duhet të urdhërojë dhe nxisë për vepra të mira.

Kur e pyetën se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën as këtë, ai është përgjigjur se ai person në këtët rast duhet të ndalojë nga e keqja, pasi dhe ajo do të ishte sadaka për të. [1]
 

Ai çfarë është i rëndësishëm në këto raste është qëllimi. Nëse bëhet për hir të Allahut, atëherë hyn në kufijtë e adhurimit. Në mënyrë paradoksale sadakaja nuk merr karakterin e një obligimi, megjithëse shpërblimi i saj nuk i përfill kornizat e kohës dhe vepruesi i saj vazhdon të përfitojë nga ajo, për aq kohë sa sadakaja e tij ka vlerë në jetë.

Për shembull ndërtimi i një shkolle ose ngritja e një familjeje të mirë muslimane e mban ngjall të vdekurin dhe ai përfiton nga çdo e mirë që rrjedh prej tyre. Kjo është tërësisht e ndryshme nga namazi dhe agjërimi, të cilat për nga natyra e tyre personale shkojnë bashkë me të vdekurin në momentin e vdekjes.
 

Nga ana tjetër, zekati është një sadaka e detyrueshme, të cilën i pasuri duhet t’ia paguajë shtetit islam, në mënyrë që ta ndihmojë atë e të krijojë një mjedis të favorshëm, ku qytetarët të jetojnë në dashuri dhe qetësi. Nëpërmjet këtij mjedisi shteti realizon detyrimet e tij karshi qytetarëve.

Me fjalë të tjera, zekati në qëllimin e tij të gjerë merret me politikat fiskale të shtetit, pasi ndikon mbi klimën shpirtërore dhe morale duke qenë një mjet për ndryshime shoqërore, burim i vazhdimësisë së tij dhe një mjet për sigurinë e kufijve te tij ideologjikë në një botë jo shumë miqësore.
 

Është vërtetuar se Profeti (a.s.) e zotëronte zekatin si një mjet shumë efikas, të cilin ai e përdorte në mënyrë të përfyturuar për të ndërtuar lëvizjen islame, për të fituar mbi armiqtë e saj dhe në këtë mënyrë të përhapte ndikimin e kësaj lëvizjeje.

Ta cilësosh zekatin si një lëmoshë, jo vetëm që e minimizon qëllimin e tij, por e poshtëron atë. Kurani e ngre zekatin në nivelin e namazit (një adhurim vetëm për Zotin) dhe u jep të dyve një barazi që qëndron unike në stilin kuranor të të shprehurit.
 

Mënyra se si është mbledhur zekati pa asnjë gjurmë dhune - duke i dhënë të drejtën individit të ndajë të mirat e tij materiale që do t’i japë për zekat dhe duke e kufizuar mbledhësin e zekatit që të marrë çfarëdo që t’i jepet dhe në pikën më kulminante duke bërë lutje për dhënësin që pasuria e tij të rritet – e ndan zekatin nga një natyrë që shkon shumë përtej asaj të taksës.

Ajo që duhet vlerësuar së tepërmi rreth zekatit është se ai kryen një punë që sistemi i taksave nuk mund ta përmbushë. Të gjitha sistemet e taksave, të ngritura nga shteti, janë të karakterizuara nga mosmarrveshjet midis qeverisë dhe qytetarëve. Fakti se një tensionim i tillë shprehet apo jo nuk i përket kësaj teme.
 

Ajo që duhet marrë në konsideratë është fakti se ky tensionim është prezent. Madje dhe në shoqëritë e ashtuquajtura të zhvilluara, ku roli i taksave në një shtet modern është i kuptuar drejtë, ka një konflikt interesash ndërmjet dhënësit dhe marrësit të taksave. Pyetja "Pse duhet të mbështes programet sociale?” vazhdon të shfaqet në forma dhe debate të ndryshme.

Zekati nuk mbart në vetvete probleme të tilla, pasi ai merr parasysh kontekstet njerëzore të marrëdhënieve ekonomike. Në thelb të programit të tij është njeriu. Alija Ali Izetbegoviç (Zoti e mëshiroftë!) e ka vënë në dukje shumë qartë këtë pikë kur ka thënë: "Çdo zgjidhje sociale duhet të përfshijë zgjidhjet njerëzore. Ajo nuk duhet të ndryshojë vetëm marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe ato midis njerëzve.
 

Kjo duhet të sjellë, bashkë me shpërndarjen e të mirave materiale, edhe përhapjen e dashurisë, zhvillimit dhe mëshirës për njëri-tjetrin.Varfëria është një problem, por gjithashtu është edhe një mëkat (social). Ajo nuk zgjidhet vetëm përmes ndryshimit të zotëruesit të këtyre të mirave, por përmes sakrificës personale, qëllimit dhe vullnetit të mirë.

Asgjë nuk mund të arrihej nëse do të kishte vetëm ndërrim të pronarit, ndërkohë që urrejtja, shfrytëzimi dhe nënshtrimi do të ekzistonin në shpirtrat e njerëzve. Kjo është arsyeja e dështimit të revoltave fetare kristiane dhe revolucioneve socialiste. [2]
 

Interesimi i Islamit është shumë i madh për të varfërit dhe nevojtarët, saqë kur sistemi dështon në arritjen e rezultateve ose kur të pasurit janë të papërgjegjshëm për të shtypurit, këtyre të fundit u lejohet të rrëmbejnë për nevojat e tyre nga të parët, veçanërisht në një situatë urie.

Ky lloj radikalizmi është tipik për Islamin dhe nuk mund të shpjegohet në zhargonet socialiste ose të dënohet nga interesat borgjeze për ligj dhe rregull. Është njeriu dhe e drejta e tij për të jetuar që udhëheq çdo gjë. Parapëlqimi i Sejid Sabikut për fjalën "shumë për të paguar” për termin zekat, megjithëse i pranuar në literaturën e jurisprudencës islame, nuk i ka shpëtuar diskutimeve.
 

Në një hadith që flet për "Sadakanë e Fitrit” është përdorur gjithashtu edhe fjala "Zekati i Fitrit”, kjo mbase për të theksuar më shumë detyrimin e saj. Profeti (a.s.) e bëri detyrë për çdo femër dhe mashkull, të lirë apo skllav, pagesën e një sa’a (njësi matëse e barabartë me 3 kg) hurmash ose elbi si zekat të Fitrit[3] (që quhet ndryshe sadakaja e ramazanit).

Në një hadith tjetër Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) urdhëroi për sadakanë e Fitrit, që siç pastroheshin agjëruesit nga veprat e këqija dhe gabimet e tyre, ashtu dhe të varfërve t’u jepej mundësia të siguronin nevojat e tyre bazë për ushqim dhe veshmbathje. Për këtë, sadakaja e një personi që e jep atë para faljes së Bajramit të Madh do të pranohet nga Allahu si zekat i Fitrit, ndërsa sadakaja e atij që e vonon do të quhet si bamirësi e zakonshme.[4]


Nga ky hadith rrjedhin katër parime:

1-Sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për të gjithë.
 
2- Dhënia e saj e pastron atë që e jep nga veprat e këqija e në këtë mënyrë e bën më perfekt agjërimin e tij.
3-Qëllimi i saj është t’i ndihmojë të varfërit dhe nevojtarët të gëzojnë në festën e Bajramit.
 
4-Pagesa sa më shpejt e tij sjell shpërblim të madh.

Disa juristë, megjithëse e pranojnë detyrimin e sadakasë së Fitrit, e caktojnë atë në rastin e zotërimit të nisabit[5]. Për këtë, nëse dikush në mëngjesin e Bajramit nuk e ka minimumin e sasisë që do ta detyronte të paguajë zekatin, atëherë ai nuk është i detyruar të paguajë sadakanë e Fitrit. Të tjerë mbrojnë idenë se zotërimi i kësaj sasie nuk është kusht i detyrueshëm. Çdo person që zotëron rezervat e një dite duhet të paguajë sadakanë e Fitrit.
 

Ka tre argumente që e mbështesin pikëpamjen e mësipërme:

 
1-Pothuajse në të gjithë hadithet mbi këtë temë nuk gjendet kushtëzimi për zotërimin e sasisë që bën të detyruar pagimin e zekatit.
2-Sasia që duhet paguar është shumë e vogël – 2176 gramë hurma, elb, grurë ose ndonjë njësi ushqimore tjetër e vlefshme në lloj ose vlerë.

3-Veçoritë e zekatit që kanë të bëjnë me sasinë e detyruar për ta paguar atë nuk gjenden në sadakanë e Fitrit. Për shembull, zekati nuk është i detyrueshëm për fëmijët (pa sasinë e detyrueshme për dhënien e zekatit), ndërkohë që sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për ta.

Përveç kësaj, për pagesën e zekatit duhet të plotësohet hauli (një vit i plotë), ndërkohë që nuk ka një periudhë të tillë për sadakanë e Fitrit. Prindërit duhet ta paguajnë sadakanë e Fitrit edhe për një fëmijë që lind para agimit të ditës së Bajramit.

Personi që vdes përpara agimit të ditës së Bajramit përjashtohet nga pagesa e sadakasë së Fitrit, ndërsa në rastin e zekatit, nëse personi vdes përpara mbarimit të përmbushjes së vitit dhe zekati ka qenë i detyrueshëm për të, në këtë rast zekati paguhet nga trashëgimtarët.
 

Zekati si një institucion është i lidhur ngushtë me politikat fiskale, madje ai luan një rol të rëndësishëm në zhdukjen e pabarazisë në shoqëri. Zbatimi i tij nuk është i kufizuar në një apo në dy ditë, por vazhdon gjatë gjithë vitit. Në të kundërt, sadakaja e Fitrit është specifike për Bajramin, duke bërë që ata që nuk kanë ushqim ose gjëra të tjera të gëzojnë në festë duke mos u ndjerë të përjashtuar nga atmosfera festive e Bajramit.

Një referim i rastit mund t’i bëhet dhe zekatit për frutat dhe perimet. Në literaturën klasike rreth zekatit, ashtu si edhe në këtë libër, artikujt si perimet dhe frutat, përveç rrushit dhe hurmës kanë qenë të përjashtuara nga zekati. Një politikë e tillë e zekatit mbrohet dhe nga thëniet profetike.
 

Megjithatë, nëse në çështje të tilla qëllimi i Sheriatit është vendimtar si një përcaktues, atëherë një arsyetim logjik mund të ngrihet për të gjetur arsyen pse Profeti i përjashtoi ato (rrushin dhe hurmën) nga zekati.

Ekzistojnë dy lloje artikuj të ngrënshëm:

- të qëndrueshme dhe jo të dëmtueshme

- të dëmtueshme që prishen lehtë

Profeti (a.s.) i bëri të detyrueshëm për zekat artikujt e qëndrueshëm për arsyen e mundshme të jetëgjatësisë së tyre gjatë ruajtjes. Ai la jashtë zekatit artikujt e dëmtueshëm, ku bëjnë pjesë frutat dhe perimet. Përjashtim bën rrushi për të cilin ndonjë mund të thotë se, përderisa ai mund të kthehet në rrush të thatë Profeti (a.s.) e ka përfshirë në zekat, pavarësisht se ai është një frut.
 

Nëse ky lloj arsyetimi është i pranueshëm, atëherë mund të diskutohet fakti se nga ruajtja në frigorifer e frutave, dallimi midis artikujve të dëmtueshëm dhe të padëmtueshëm si përcaktues për zekat nuk është më i vlefshëm, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për mollët, portokallet, bananet dhe pjeshkët.

Në mënyrë të ngjashme me rrushin, i cili mund të kthehet në rrush të thatë, mund të jenë dhe mollët, kajsitë, ananasi dhe bananet. Të gjitha këto fruta mund të thahen dhe ruhen për një kohë të gjatë, kështu që ekziston mundësia për t’u përfshirë në zekat. Zoti e di më së miri.

Zekati, gjithçka rreth tij - Shkëputur nga libri "Fikhu Suneh

Lexuar: 2592 | Shtuar nga: studio-islam | Data: 03-February-2010
Shkruani një Koment
Name *:
Email *:
Code *:
Gjithsej Komente: 0
Copyright © 2010 |