Dikush mund të mendojë se Profeti kërkoi të grumbulloheshin medinasit që ti qortonte dhe ti ndëshkonte për dyshimet dhe hamendësimet e tyre në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së plackës së luftës. Në vend të kësaj, me t'u mbledhur të gjithë, Profeti u drejtua nga ensarët dhe pasi falenderoi Allahun, u tha:
"O ensarë, kam dëgjuar se jeni të zemëruar me mua dhe që keni thënë se i Dërguari i Allahut, tani e gjeti popullin e tij. A nuk ju gjeta të humbur dhe Allahu ju udhëzoi? A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuroi? A nuk ishit armiq me njëri-tjetrin dhe Allahu jua bashkoi zemrat?"
Ata iu përgjigjën: "Eshtë mirësi e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij."
Profeti u tha përsëri: "O ensarë, nëse dëshironi mund të përgjigjeni". "Po çfarë të themi, o i Dërguar i Allahut?" Profeti u tha: "Për Zotin, do të kisha dëshmuar për vërtetësine e përgjigjes tuaj nëse do të kishit thëne: "Edhe ti erdhe i përgënjeshtruar, kurse ne të besuam. Erdhe i lënduar dhe ne të ngushëlluam. Erdhe i përndjekur nga populli yt dhe ne të strehuam.
Erdhe i varfër dhe të pasuroi Allahu mes nesh.' "O ensarë, a ju mbeti hatri për disa gjëra të kësaj bote, të cilat unë ua dhashë njerëzve që sapo kishin pranuar Islamin, me qëllim që t'u shtohet dashuria për këtë fe, duke u lënë juve me besimin tuaj?
A nuk jeni të kënaqur o ensarë, që derisa njerëzit e tjerë të kthehen në shtëpitë e tyre me deve dhe dele, ju të ktheheni në vendin tuaj me të Dërguarin e Allahut? Për Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muhamedit, sikur të gjithë njerëzit të ndiqnin një rrugë, kurse ju ensarët një rrugë tjetër, unë do të ndiqja rrugën e ensarëve.
O Zot! Mëshiroji ensarët, bijtë e ensarëve dhe bijtë e bijve të ensarëve!" Të gjithë qanë saqë iu lagën edhe mjekrat nga lotët dhe thanë: "Ne jemi të kënaqur që kemi me vete të Dërguarin e Allahut."
Edhe pse si Profet i Zotit, ai nuk ishte i detyruar të jepte shpjegime, largpamësia dhe dhembshuria qe e karakterizonin e shtyu të vepronte kështu në këtë situatë. Ai e kuptonte mirë natyrën e tyre njerëzore dhe nevojën që kishin për të kuptuar arsyet pas veprimeve të tij.
Ai gjithashtu e kuptoi se shkaku i vërtetë për zemërimin e tyre ishte frika se mos ai i kishte braktisur. Për këtë arsye, Profeti nuk i ndëshkoi për dyshimet e tyre mbi drejtësine e tij.
Megjithëse në pamje të parë dukej se shkaku për kritikat e ensarëve ishte se nuk morën plaçkë lufte të mjaftueshme, Profeti mendoi mirë per shokët e tij dhe e kuptoi se ata nuk besonin që ai ishte i padrejtë por thjesht kishin nevojë të siguroheshin për dashurinë e tij për ta.
Muslimanët sot mund të përfitojnë shumë nga shembulli i Profetit kur përballej me kritika. Shembulli i tij na mëson të mendojmë gjithmonë mirë për të tjerët, të tregojmë modesti në çdo situatë, dhe të zemërohemi vetëm për hir të Allahut.
Së pari, është e rëndësishme të kuptohet personi që kritikon, për të bërë dallimin e mesazhit nga mënyra e të shprehurit të tij. Pastaj, çështja duhet vlerësuar në mënyrë racionale. Në qoftë se kritika është e vlefshme, atëhere personi i cili është kritikuar duhet të përpiqet ti japë zgjidhje çështjes; por nëse kritika nuk qëndron, atëherë ai duhet t'ia shpjegojë palës tjetër mendimin e tij me qetësi dhe duke treguar mirëkuptim dhe mirënjohje.
Me të vërtetë, ne duhet të përpiqemi ta imitojme shembullin e Profetit, pasi ai është shembulli më i mirë.
vizion-islam
|